Qeveria turke, ofron 22 bursa për studentët shqiptarë
Qeveria turke ofron bursa për studime pasuniversitare dhe për kursin veror të gjuhës turke, për vitin akademik 2010-2011, sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Këto bursa janë në kuadrin e marrëveshjes dypalëshe, sipas së cilës qeveria e Republikës së Turqisë i ka akorduar qeverisë së Republikës të Shqipërisë 22 bursa studimi për vitin akademik 2010-2011, të ndara 4 (katër) bursa kërkimore (8-mujore); 13 (trembëdhjetë) bursa për programe studimi të nivelit master ose doktoratë (PhD); 5 (pesë) bursa për kursin veror të gjuhës dhe të kulturës turke.
Tetë prej bursave të nivelit master dhe doktoratë do të jenë sipas fushave: 4 (katër) bursa studimi për histori, arkiva ose arkeologji; 2 (dy) bursa studimi për shkencat e edukimit (mësuesi); 2 (dy) bursa studimi për bioteknologji. Për bursat e kursit të verës të gjuhës dhe letërsisë turke duhet të aplikojnë vetëm studentët e vitit të 4-t të turkologjisë pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, - bën të ditur MASH.
Kandidatët për studime pasuniversitare të paraqesin në sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH kërkesën, duke specifikuar fushën e studimit në të cilën aplikanti dëshiron të studiojë; fotokopjen e noterizuar të diplomës së shkollës së lartë; fotokopjen e noterizuar të listës së notave; dy rekomandime; programin e studimit; raportin mjekësor për aftësi studimi; raportin mjekësor që vërteton se kandidati nuk ka kaluar ndonjë sëmundje ngjitëse të AIDS ose të Hepatitit C; certifikatën e lindjes ose fotokopjen e kartës së identitetit; si edhe 3 (tri) fotografi. Ndërsa për kursin e verës, kërkesën për ndjekjen e kursit të gjuhës; dëshmi për njohjen e gjuhës turke; raportin mjekësor për aftësi studimi; raportin mjekësor që vërteton se kandidati nuk ka kaluar ndonjë sëmundje ngjitëse të AIDS ose të Hepatitit C; certifikatën e lindjes ose fotokopjen e kartës së identitetit; si edhe 3 (tri) fotografi. MASH bën të ditur se për kursin e verës, afati i fundit për pranimin e dokumenteve në sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH është data 23 prill 2010, ndërsa për bursat e tjera do të jetë data 21 maj 2010.