Matura, sot, afati i fundit për të diplomuarit jashtë vendit
Sot është afati i fundit për të diplomuarit jashtë vendit, që të aplikojnë për Maturën Shtetërore në Ministrinë e Arsimit dhe e Shkencës. Pas mbylljes së kësaj procedure, që nisi më 1 prill, komisioni i posaçëm i ngritur në MASH do të shqyrtojë aplikimet. Komisioni, pasi njeh vlefshmërinë e dëftesës shkollore, përcakton mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur nëse provimet e dhëna që figurojnë në këtë dëftesë, janë ekuivalente me Maturën Shtetërore, - thotë udhëzimi. Nëse një kandidat nuk ka dhënë provime ekuivalente me Maturën Shtetërore, ai është i detyruar që të japë provimet me zgjedhje, pasi provimet e detyruara llogariten në bazë të notave të paraqitura në dëftesë. Për nxënësit, për të cilët komisioni vlerëson se dokumentet shkollore të tyre nuk dëshmojnë për dhënien e provimeve ekuivalente me Maturën Shtetërore, ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe notat e provimeve të detyruara D1 dhe D2, - thotë udhëzimi i Maturës Shtetërore. Këto nota komisioni ia përcjell zyrtarisht Komisionit të Maturës Shtetërore dhe Drejtorisë apo Zyrës Rajonale të Arsimit, ku nxënësi ka vendbanimin, deri në datën 30 prill 2009. KMSH e DAR/ZA-ve cakton shkollën ku kandidati do të kryejë provimet me zgjedhje dhe ku do të plotësojë formularët A1 dhe A2, duke i përcjellë kësaj shkolle dhe notat që ka përcaktuar komisioni i posaçëm, - procedohet në bazë të udhëzimit. Formularët A1 të plotësuar nga nxënësit për të cilët bën fjalë ky nen, dorëzohen zyrtarisht si edhe në formë elektronike në AVA, së bashku me përmbledhësen e të dhënave të nxënësve, brenda datës 5 maj.