E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksistët e licencuar nuk përdorin taksimetrat në Durrës

Megjithëse ankohen çdo ditë për konkurrencën e paligjshme, por edhe për mungesën e kontrolleve nga bashkia, duket se edhe vetë taksistët e licencuar e shkelin ligjin. Duke hedhur një vështrim të përciptë, konstaton se asnjë prej taksistëve nuk ka vënë në punë aparatin matës të kilometrave të përshkuar, duke u marrë qytetarëve paratë si edhe para sipas dëshirës së tyre. Fare pak taksi, për të mos thënë as 2 për qind e tyre, kanë vendosur matësin e kilometrave që përshkojnë rrugët gjatë gjithë ditës. Mungesa e vendosjes së tyre fillimisht u pengua nga specialistët që kishin marrë përsipër të bënin këtë punë, pasi aparatet nuk ishin plumbosur. Në Durrës, aktualisht operojnë disa firma që ofrojnë shërbimin taksi në 24 orë dhe mjetet qëndrojnë në disa pika të licencuara nga bashkia, si tek treni, Albtelekomi, bashkia, porti etj. Sipas specialistëve bashkiakë, në rrugët e qytetit dhe ato të Plazhit, Shkozetit, Currilave e Shkozetit janë në shërbim rreth 150-160 taksi, ndërsa taksistët dhe pronarët e shërbimit flasin për më shumë se 300 taksi 4+1 dhe 8+1. Konkurrenca si dhe futja në të njëjtat linja të taksive të palicencuara nga bashkia ka bërë që edhe ato pak taksi me taksimetër të mos vënë në punë matësin. Ata e kanë blerë 250 euro aparatin matës të kilometrave dhe tarifës së shërbimit për qytetarë, ndërsa qytetarët vazhdojnë të paguajnë më shumë. Brenda Durrësit, shërbimi taksi merr 500 lekë, kurse për të shkuar në Plepa e Plazh apo Shkozet 700 lekë. Në orët e natës qytetari që ka një hall për të shkuar tek urgjenca apo në spital si dhe të tjerë që kërkojnë të shkojnë drejt Currilave, në Plazh apo Shkozet. duhet të paguajnë tri herë më shumë për një shërbim që në orët e ditës paguajnë 500 lekë. Më i shtrenjtë është shërbimi taksi nga Durrësi për në Tiranë, pasi kushton deri 6000 lekë, kurse për në Kavajë, që është rreth 20 km, pagesa shkon në 3000 deri 3500 lekë. Policia Bashkiake, e Trafikut Rrugor dhe Tatimet deri tani nuk kanë ushtruar kontrolle për të vënë në vijë këtë lloj shërbimi, por pas ankesave edhe nga qytetarët, dje ka nisur aksioni trepalësh. Një vit më parë, disa postblloqe e kontrolle të shumta të ushtruara nga policia detyruan pjesën më të madhe të autoveturave taksi dhe të furgonëve të blejnë taksimetër, por në asnjë rast pajisja nuk u vendos në shërbim të qytetarëve. Furgonët 8+1 nuk e kanë atë aparat. Dega rajonale e Tatimeve në Durrës ka vendosur të ndërmarrë kontrolle për të detyruar taksitë që të përdorin matësin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›