E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket prej dy ditësh nxënësi i medresesë

Korçë
La një shënim në shtëpi: Unë do të largohem

Një 13-vjeçar nga qyteti i Korçës është zhdukur prej dy ditësh. Arsen Qosja, 13 vjeç, me banim  në qytetin e Korçës, që nga mëngjesi i së enjtes ka ikur nga shtëpia dhe nuk dihet se ku ka përfunduar e në çfarë gjendje, pasi nuk ka asnjë të dhënë për të. Zhdukjen e 13-vjeçarit e bënë të ditur mbrëmjen së enjtes burime të policisë rajonale të Korçës, pas denoncimit që morën nga familjarët e tij. Këta të fundit, pas kërkimeve disaorëshe iu drejtuan edhe policisë për ndihmë, pasi u shqetësuan për fatin e 13-vjeçarit. Policia ka vënë në dispozicion për gjetjen e fëmijës numra telefoni dhe foto me të dhënat e tij, por ende pa rezultat. Sipas asaj që tregojnë të afërmit, 13-vjeçari Arsen Qosja është nxënës i klasës së shtatë në medresenë e qytetit të Korçës. Ai përshkruhet si fëmijë i urtë dhe ditën kur është larguar nga familja është ngritur herët në mëngjes. Nëna e tregoi se kishte menduar se djali ishte ngritur për t’u përgatitur për në shkollë, por ai ka dalë herët dhe ka lënë një shënim ku shkruhej "Unë do të largohem". Prindërit tregojnë se 13-vjeçari ka marrë me vete dymijë lekë të reja kur është larguar. Sipas tyre, fëmija kishte udhëtuar më parë në qytete të ndryshme të vendit së bashku me të atin, për çështje pune dhe ka arritur të njohë kështu lëvizjet për në qytete të ndryshme. Ata sqaruan se nuk kanë të afërm në Shqipëri, por vetëm në Greqi dhe kjo u ka shtuar shqetësimin për fatin e fëmijës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›