E Diel, 1 Nëntor 2026

Në shitje dimanti i kuq i Jennifer Lopez

08/02/2005  Një diamant i kuq, dëshira e “ndaluar” e shumë grave. Aq më tepër kur dhuruesi është një burrë tërheqës si Ben Affleck, duket një ëndërr me sy hapur. Për Jennifer Lopez nuk ka qenë kështu, duke parë se historia e saj me aktorin mori fund. Madje, ka nga ata që dyshojnë se lidhja e tyre ishte vetëm një fushatë publicitare. Por, aktualisht, unaza e famshme e fejesës ekziston dhe këngëtarja sensuale me origjinë portorikane ia ka dorëzuar Harry Winston, shitësit të stolive të yjeve që e ka nxjerrë në ankand. Çmimi? Top secret, do të tregohet vetëm për ata që do të kenë ndërmend ta blejnë unazën. Ndërkaq, Jennifer Lopez do të bëjë një duet me burrin e saj Marc Anthony gjatë mbrëmjes së dhënies së çmimeve Grammy Awards, më 13 shkurt në Los Angeles. Një burim të ardhurash apo një gjest i pastër romantik? Nuk dihet. Anthony ka fituar tashmë një Oscar të muzikës në 1998 edhe këtë vit konkurron në kategorinë albumi më i mirë pop-latin dhe albumi më i mirë salsa-merenge. Ata janë martuar vitin e kaluar në qershor. Puna artistike me ish të dashurin, aktorin Ben Affleck nuk ishte e suksesshme. J.Lo pësoi dy dështime kinematografike, tek “Gigli’ e ‘Jersey Girl” që u pasuan edhe nga dështimi në fushën sentimentale. Më pas lindi bashkimi i saj me burrin aktual, yllin e pop-it latin që tani nuk po shkëlqen siç duhet në Evropë, ndryshe nga gruaja e tij që shkëlqen si në kinematografi, ashtu edhe në muzikë dhe që para pak kohësh e ka gjetur veten në qendër të një polemike. Reperi Usher, fitues i dy Mtv EMAs, ka akuzuar J. Lo se ka vjedhur muzikën e njërës prej këngëve të tij, Ride, dhe e ka përshtatur në singëllin e ri, Get Right. Jennifer po hedh bazat për rilindjen artistike dhe jo rastësisht “Rebirth”, quhet albumi i saj i ri që do të dalë në treg në fillim të marsit. Artistja është duke përgatitur edhe rikthimin e saj të madh në ekranin e madh në thrillerin Bordertown (qyteti i kufirit) i Gregory Nava, ku do të interpretojë rolin e një reportereje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›