E Diel, 1 Nëntor 2026

Në shkollë për tualet!

Sulmuesi italian Mario Balotelli vizitoi kolegjin Xaverian në Manchester. Ylli i Manchester Cityt të enjten kishte parkuar veturën e tij luksoze Bentley para objektit shkollor, por jo për të marrë pjesë në ndonjë fushatë arsimore. Ai kishte hyrë aty për të kërkuar tualetin.

Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli ka befasuar studentët në një shkollë, kur hyri brenda dhe pyeti nëse mund të përdorte tualetin. Balotelli, 21 vjeç, parkoi veturën e tij luksoze të tipit Bentley jashtë kolegjit Xaverian në Manchester në kohën e drekës të enjten.

Ai shfrytëzoi tualetin para se të bisedonte me studentët në një bufe, ndërsa hyri edhe në zyrën e profesorëve. Një zëdhënës i kolegjit tha për Manchester Evening News: “Xaverian është i lumtur që iu bë një vizitë e papritur nga Mario, i cili bisedoi me disa prej studentëve”.

Studenti Edward Gasson, 18 vjeç, ishte duke qëndruar në bufe me shokë, kur Balotelli hyri brenda. “Balotelli parkoi Bentleyn e tij jashtë kolegjit dhe hyri brenda duke pyetur se ku janë tualetet, e më pas shkoi në zyrën e profesorëve. Pas kësaj, ai shëtiti rreth kompleksit sikurse të ishte pronar i tij dhe të gjithë e përcillnin nga pas. Jam tifoz i Cityt, andaj ishte e mahnitshme për mua që e pash, por edhe paksa e papritur që erdhi këtu. Kurrë nuk e kisha pritur se do të ndodhte”, tha ai.

Balotelli luajti për Cityn të mërkurën mbrëma në humbjen 1-0 nga Liverpool, në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Carling Cup, por ishte zëvendësuar pak para përfundimit të pjesës së parë për shkak të një lëndimi.

Reprezentuesi italian rregullisht ka bërë lajme me veprimet e tij në fushë dhe jashtë saj, pas transferimit në City në gusht të vitit 2010 nga gjiganti milanez Inter.

Ai kishte hedhur shigjeta në drejtim të një futbollisti junior në mars të vitit të kaluar, u zëvendësua nga Mancini për një veprim joserioz në një miqësore para fillimit të sezonit dhe është përjashtuar tri herë pas transferimit nga Inter.

Balotelli po ashtu muajin e kaluar ka qenë i përfshirë në një kacafytje në stërvitje me bashkëlojtarin Micah Richards, kurse pati një incident të ngjashëm edhe me Jerome Boateng në dhjetor 2010.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›