E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në shpellën elektorale, Edvini ngushëllohet me praninë e Paskal Milos

Kryesocialisti Rama ripërsërit qëndrimin izolacionit në Kongresin zgjedhor të PDS-së, duke mos ndalur irritimin edhe ndaj kursit politik të rivalëve të LSI-së

TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka përjashtuar sërish dje mundësinë e bashkëpunimit me koalicionin tjetër opozitar të drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 28 qershorit ose pas tyre. “Zgjedhja e 28 qershorit, është një zgjedhje mes një Shqipërie që kemi 18 vjet që e jetojmë dhe një Shqipërie që kemi 18 vjet që e presim. Ne jemi në këtë betejë së bashku, për Shqipërinë që presin prej 18 vjetësh. Kjo është beteja e të ardhmes mes të shkuarën dhe ne do ta fitojmë, sepse bashkimi ynë i ri është bashkimi për të ardhmen, jo pazari për të shkuarën”, deklaroi kryesocialisti gjatë punimeve të djeshme të Kongresit zgjedhor të Partisë Demokracia Sociale të Paskal Milos.
Duke mbrojtur ndryshimet në sistemin e ri zgjedhor, aq shumë të kontestuar nga lideri i LSI-së Ilir Meta, Rama deklaroi se “kemi ndërruar sistemin duke kaluar nga fletët e dushkut që kalbën zgjedhjet dhe neveritën zgjedhësit, te fletët e votimit të drejtpërdrejtë për çdo forcë dhe për çdo lider politik” dhe se “ky është një ndryshim i madh. Të vetëdijshëm për këtë sfidë, ne kemi zgjedhur rrugën më të drejtë dhe më të vështirë. Kemi zgjedhur një bashkim të ri qytetarësh dhe jo një pazar të vjetër kryetarësh”, deklaroi Rama.
Nga ana e tij kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, konfirmoi se PDS do të jetë pjesë e koalicionit të majtë të drejtuar nga PS në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit.
Vetë kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka shmangur ndonjë koment direkt në lidhje më këto qëndrime të ashpra e shpërfillëse të kreut socialist.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›