E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në shtator, për bisedimet

Ministri i Jashtëm i Italisë, Giulio Terzi ka thënë se dialogu Prishtinë –Beograd është vendimtar për rrugën europiane të Serbisë. Pas një takimi me diplomatin italian, Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic tha se për procesin e bisedimeve Kosovë –Serbi do të merret vesh më shumë gjatë shtatorit.

Bisedimet me Kosovën janë vendimtare për rrugën europiane të Serbisë. Ky është konstatimi që ka dalë nga takimet e Ministrit të Jashtëm të Italisë, Giulio Terzi me zyrtarë më të lartë shtetërorë në Serbi duke përfshirë Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolic, Kryeministrin Ivica Dacic dhe zyrtarë të tjerë.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka deklaruar se rreth vazhdimit të dialogut mes Prishtinës e Beogradit do të bisedohet në shtator.

“Mbi këtë temë ende nuk është folur. Ne e kemi treguar gatishmërinë për dialog, por për këtë temë qartazi do të flitet në fund të shtatorit”, ka thënë Dacic para gazetarëve, pas takimit me Ministrin italian të Punëve të Jashtme, Giulio Terzi.

Dacic ka theksuar se nga Ministri italian ka dëgjuar se nuk do ketë kushte të reja për Serbinë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Bisedimet mes Kosovës e Serbisë janë pezulluar që para zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi.

Nga nëntë raundet e mbajtura në vitin e kaluar e deri në fillim të këtij viti, janë arritur shtatë marrëveshje.

Pala kosovare këmbëngul që së pari të nisë zbatimi i plotë i marrëveshjeve, e pastaj të vazhdohet dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Sipas Ministrit të Jashtëm italian, Serbia në rrugën e saj drejt BE’së do ta ketë përkrahjen e plotë të vendit të tij. Këto komente, Terzi i bëri pas takimit me Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolic.

Ai ka thënë se dialogu i Beogradit me Prishtinën është vendimtar për integrimet e Serbisë.

Nikolic dhe Terzi, sipas njoftimeve, janë dakorduar se do të ishte shumë keq nëse BE’ja do të vendoste kushte të reja për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Presidenti serb ndërkaq ka thënë se politika e Serbisë karshi problemit të Kosovës do të jetë shumë transparente.

Ai ka shtuar se Serbia do të hartojë një strategji për Kosovën dhe se nuk do ta njohë pavarësinë e saj.

Sipas tij, qeveria e kaluar në Serbi ka bërë shumë lëshime në bisedime derisa ka thënë se qeveria aktuale do të dalë me një elaborim rreth marrëveshjeve që janë arritur.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›