Një panair punësh të kota
Njerëzit gjithmonë kanë krijuar a ngritur monumente, përfshi kryevepra e statujat madhështore. Arsyeja e ngritjes së shumë prej tyre vazhdon të mbetet e panjohur dhe kjo ndoshta sepse të shpjegosh kotësinë, është njësoj si të pretendosh se ke kapur erën.
Thuhet se, që nga koha kur Arka e Noes doli mbi ujë, u deshën të kalonin disa breza që njerëzit të ndjeheshin të aftë e përsëri të sigurt për të marrë përsipër ndërtimin e projekteve të mëdha. Sepse, gjithmonë sipas gojëdhënës, kishin kaluar 5 breza nga përmbytja e madhe, kur ata thanë: "Le të ngremë një kullë, maja e së cilës të preki qiellin, dhe me këtë të bëhemi të famshëm para se të vdesim". Historianët, që prej kohëve më të lashta, thonë se Kullën e Babelit askush nuk e ka parë e jo më të dijë se sa e lartë ishte. Por ngaqë përmendet e mbahet mend, kjo tregon se disa besonin në ekzistencën e saj, njësoj si në rastin kur njerëzit kurrë nuk i kanë njohur a parë paraardhësit, por megjithatë flasin rreth tyre me aq siguri, njësoj sikur sapo të ishin ndarë. Por edhe si në rastin kur provojnë një sistem politik.
Teologjikisht, historia e Noes, merret si koha e fillimit të kohës moderne, ashtu si historikisht, 28 nëntori 1912 është zanafilla e Shtetit të sotëm Shqiptar. Për të mbërritur shkallën e zhvillimit e te rimëkëmbjes, a për të marrë përsipër ngritjen e kryeveprave si ajo e Kullës së Babelit, njerëzimit iu desh të kalonte rreth 225 vjet nga koha e Noes. Thuhet se i quajturi Phaleg, një nga arkitektët e Kullës së Babelit, ishte stërnipi i pestë i Noes.
Por vetëm më pak se një brez, 32 vjet nga 28 Nëntori 1912 mjaftuan kur më 1944 një grup shqiptarësh, të pushtuar nga vetëlavdia, i hynë punës për të detyruar të tjerët të punonin për ngritjen e kullës së tyre; “Fanarin ndriçues në brigjet e Adriatikut”. Fillimisht, shumë besuan dhe punuan rëndë, njësoj si arkitektët e muratorët e Kullës së lashtësisë. Por kur panë se qielli ishte i pamundur të arrihej, mes tyre plasi grindja dhe shtyrjet, shpifjet, rrëzimet, vrasjet hapur a pas shpine të njëri-tjetrit u bënë të panumërta.
Nuk dihet përse është thënë se Kulla e Babelit simbolizon moskuptimin, sepse sipas një etimologjie, "Ba" do të thotë "Baba" dhe Bel - Zot. Megjithatë, ashtu si askush nuk mund ta kuptojë foshnjën që sapo fillon të belbëzojë, gjithashtu, askush nuk mund të shpjegojë përse njerëzit që deri atëherë flisnin një gjuhë, krejt papritur filluan të mos kuptonin njëri-tjetrin.
Ashtu si ideja e Kullës së Babelit, edhe Komunizmi, në kuptimin fillestar të fjalës është joshës; vlera materiale e pronat të përbashkëta. Në kushte të till,a prona vetjake është e siguruar, e pakërcënuar, pasi të gjithë kanë. Tërheqës, si një mit, por shumë bindës për të qenë i vërtetë, sepse tani që dihet, mund të thuhet se bota sot do të kishte qenë më e mirë sikur "komunizmi" të kishte mbetur vetëm një ide.
E shfaqur fillimisht si teori shoqërore (1840) komunizmi mori kuptimin e një sistemi politik me botimin nga Marksi e Engelsi të “Manifestit të Partisë Komuniste Gjermane” më 1850. Kështu lindi projekti i Kullës moderne të Babelit. Pas 150 vjetësh mundimesh, krimesh, vrasjesh, manipulimesh, kulla u shemb e njerëzit të zemëruar u shpërndanë e u përçanë dhe çdo njeri filloi të flasë një gjuhë krejt të pakuptueshme nga ajo e tjetrit. Mos është kjo një prej arsyeve që sot ata nuk kuptohen politikisht? Kjo gjithashtu tregon se ata nuk kanë mësuar asgjë nga humbja, sepse shihet se çdo grup a parti premton të pamundurën vetëm për të kapur majat e pushtetit, dhe pas çdo dështimi, krijon fragmentizëm e përçarje brenda partisë së partisë, prej partisë, e kështu me radhë.