Përtej pjatës nacionale...
Shoqëria shqiptare, partitë politike dhe qeveria e kanë bërë “nordin” e orientimit të tyre, përpjekjen për të plotësuar aspiratën e të gjithë shqiptarëve për t’u bërë shtetërisht pjesë integrale e kontinentit tone, dhe qytetarisht të integruar në të. Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët kanë afeksion shpirtëror dhe instinkt social europian të cilat janë bërë “mentalitet natyror” që është ngritur mbi disa pengesa joqytetëruese të traditave tona të vjetra. Pa mohuar vlerat e shoqërisë, kulturës, sjelljes sociale, në bilanc të fundit duke u europianizuar sa më shpejt të jetë e mundur, jo thjesht zyrtarisht dhe administrativisht, ne do jemi të fituar si shqiptarë, si kulturë, mirëqenie, dinjitet kombëtar dhe moral shoqëror. Kjo është ajo që na bën të jemi të paduruar për të arritur “finishin europian”.
Tani ne jetojmë në kohë dhe shoqëri moderne, e cila është më e qartë me veten dhe njerëzit e saj, më e thjeshtë në ide dhe orientim, më e zhveshur nga ambalazhet ideologjike izolacioniste, autarkike dhe primitive të së kaluarës sonë komuniste. Në këtë kontekst, nëse do të analizojmë situatën sociale, ndryshimet e thella dhe të shpejta në mentalitetin dhe opinionin e qytetarëve, do të kuptonim se shoqëria jonë është në rrugën e modernizimit social, kombëtar dhe kontinental. Ky proces është aq shumë i shpejtë, saqë po ndikon në ritmet e transformimit të shoqërisë, e cila nuk ka rrugë tjetër veç asaj që të bëhet “post-moderne” dhe “post-metafizike”, që arsyeton dhe ndjen përtej barrierave të vjetra nacionale, që mund të bëhen shkak për të penguar ritmet e integrimit dhe homogjenizimit europian të vendit tonë.
Ne jemi koshientë dhe e njohim faktin që kemi ende nëpër këmbë mbeturinat e një sistemi të vjetër. Na duhet më shumë punë, vullnet, guxim por dhe vetëpërmbajtje, që të mposhtim me dinjitet mbeturinat e fundit të së kaluarës sonë gjysëm shekullore, të izolacionit komunist, që ndikoi në një proces të thellë spostimi nga “aksi kontinental” dhe devijimi nga magjistrali europian. Kjo ka kosto dhe po na kushton së tepërmi sot.
Nga pikëpamja sociologjike, nuk ka nevojë për sondazh të opinionit publik, sepse orientimi pro-europian i shqiptarëve, është një mentalitet absolutisht mazhoritarist, që vërteton pa mëdyshje faktin e njohur, se shumica absolute e shqiptarëve janë “eurofilë”, të vendosur për të qenë pjesë integrale e qytetërimit europian. Sigurisht ne kemi kulturën, traditat, moralin dhe qytetërimin tonë, pjesa më e madhe e të cilit është e mirë, dhe që nuk bëhet pengesë në procesin e integrimit. Përkundrazi, ato janë vlerat që ne do të sjellim në këtë qytetërim të madh, multietnik dhe multikulturor.
Por njëkohësisht na duhet të mos jemi të mbyllur në “pjatën nacionale”, të mburremi nganjëherë kot, edhe me gjërat që nuk i vlejnë kohës dhe standardeve të shoqërisë moderne europiane. Një gjë duhet kuptuar mirë, kur integrohesh në Europë, është e pamundur që të mbetesh vetëm tek “pjata nacionale”, në kuptimin më të gjerë dhe figurativ të saj, që nga “sovraniteti” deri tek “traditat”, të cilat në kushtet e integrimit nuk janë më as të shenjta, tabu, të paprekshme. Koha kërkon që vlerat, traditat e mira dhe ato gjëra që na pengojnë në rrugën e integrimit kontinental, t’i vëmë në procesin evolutiv të adoptimit me qytetërimin perëndimor.
Nëse do të “ushqehemi” vetëm nga pjata nacionale, do të pengohemi dhe do të mbetemi në një pozitë të prapambetur, në raport me vendet dhe popujt europianë, që na presin në gjirin e tyre si shqiptarë të europianizuar. Frensis Fukuyama, ky filozof modern i “post-historisë”, me të drejtë bën një ndarje të shteteve që jetojnë në “periudhën pas-historike”, që ecin në rrugën e integrimit modern, dhe të atyre që kanë “mbetur në histori”, që do të thotë se ende e nanurisen dhe kënaqin veten, duke mos u shkëputur nga “pjata nacionale”, e cila në shumë raste, siç po duket, është bërë pengesë për integrimin europian. Askush nuk thotë se duke u realizuar procesi i integrimit, nuk do të ekzistojë ndarja e kombeve si etnitet. Por natyrisht, ky proces është përtej kufijve të mbyllur nacionalë, ekonomikë dhe kulturorë.
Shoqëria shqiptare për fat nuk shfaqet as e mbyllur as nacionaliste, përkundrazi, ajo po përpiqet të kultivojë ndjenjën e nacionalizmit modern, të moderuar, të lidhur ngushtë me parimin e liberalizmit. Ky është një favor i madh për ritmet e integrimit tonë në Europën moderne.
Ndërkaq, duhet që sot të mendojmë për atë që do të ndodhë nesër, sepse integrimi do të ndikojë fuqishëm në “shkatërrimin” e shumë tipareve tradicionale të konceptimit të vjetër të sovranitetit, sidomos në fushën e tregut dhe të prodhimit. Koncepti i “shtetit komb”, sa më e integruar të bëhet Europa, nuk do të ketë atë vlerë që ka patur në periudhat e kaluara historike. Ajo nuk mund të jetë në ato përmasa që ka qenë në të kaluarën, si pikë qendrore e identifikimit. Në këtë kontekst, duhet vlerësuar realiteti social dhe mental i ndryshuar i shqiptarëve, për të cilët tashmë Europa nuk është më një projekt, por një realitet i ngrehinës politike në të cilën duam të hyjmë si të barabartë, përtej paradigmave, kufizimeve dhe “pjatës nacionale”. Tani është koha që vërtetë kemi shanse që të jemi shtet edhe qytetarë me të drejta të plota e të barabarta, të integruar me dinjitet në kontinentin që na ka dhënë për herë të parë “identitet të gjerë”, përtej kufijve të nacionalitetit tonë. Koha po vërteton faktin se qytetarët tanë, nuk bëjnë pjesë në ata popuj që në procesin e integrimit europian, shfaqin herë pas here shenja të “euro-skepticizmit”, dyshime për këtë projekt të madh universal, kontinental, që ende e kanë të vështirë të shkëputen nga “pjata nacionale”.
Shqiptarët janë popull i emancipuar mendërisht dhe sensibël nga pikëpamja shtetërore. Ata nuk janë nacionalistë dhe nuk e shikojnë Europën me syzet e shqiptarizmit, as të madh e as të vogël, sepse kanë shpirtin “europeist”, për të cilin kanë sakrifikuar shumë, dhe që janë të gatshëm ndërkaq, të paguajnë çdo lloj çmimi që duhet që kjo ëndërr e vjetër të bëhet realitet. Europeizmi i shqiptarëve kudo që janë, këtej dhe matanë kufirit, është nordi i orientimit nacional kolektiv.
“Pjata nacionale” është e vogël përballë dëshirës integruese europiane të shqiptarëve, të cilët e kanë horizontin përtej kufijve etnikë dhe shtetërorë. Si popull i vogël, i privuar nga diktaturat që kanë mundur të deformojnë realitetin, por jo esencën e shpirtit europian të shqiptarit. Integrimi europian është kuintesenca e çdo projekti politik, ekonomik dhe kulturor për shqiptarët, është e vetmja “pjatë” që jo thjesht do të na “ngopë barkun”, por më shumë të na “ngrohë” shpirtin europian. Është meritë e verbit progresiv, e shpirtit integrues, fakti që në Shqipëri ka fare pak, ndoshta aspak “euro-skepticistë”, që të kenë dyshime apo kundërshtime për programin e përbashkët shtetëror, kombëtar dhe qytetar, të shfaqur në dëshirën tonë kombëtare për integrimin europian, për të qenë qytetarë të barabartë, dinjitozë dhe kontributivë në këtë kontinent të lirisë. Europa e ardhshme nuk do të jetë ajo e “principatave” me gardhe etnike, e atdheve të mbyllur, e superimit të identiteteve kombëtare dhe rajonale, të cilat e kanë deformuar historinë e njerëzimit. Ne do jetojmë përtej kufijve kombëtarë dhe shtetërorë, përtej “pjatës” dhe “dialekteve” nacionale, sepse Europa nuk do të jetë më kontinenti i ballafaqimit të më të fortëve dhe të dobtëve, por i qytetarëve të barabartë, që do të jetojnë me pasaportën dhe identitetin e përbashkët të qytetarit europian. Asnjë dyshim nuk duhet të kemi, sa më pak të qëndrojmë të ngulur pranë “pjatës nacionale”, aq më europianë do të bëhemi.
Ne nuk kemi punë me lajthitjet, bindjet apo gabimet “kundër-europiane” të ndonjë populli, që ka arsyet e veta historike të preferojë të qëndrojë tek “pjata nacionale”. Ne kemi punë me veten tonë, që të shtojmë ritmet e integrimit dhe plotësimit të standardeve të Bashkimit Europian, shtimin e shpejtësisë së rritjes sonë europiane. Është normal që një proces i tillë kontinental, siç është Bashkimi Europian, të ketë edhe “papastërtitë” e veta. Por ne për fatin tonë të mirë, nuk jemi në atë pjesë. Ne jemi në pjesën e “pastër”, jashtë zonës së “euro-skepticizmit”. Është fat që, gjithashtu, ky është bërë për shumicën absolute të shqiptarëve, ideal i përgjithshëm politik, qytetar dhe kulturor. Integrimi evropian, për fatin e mirë të popullit tonë është një program konstant, i përbashkët, identik, pa diferencime “të majta apo të djathta” i të gjithë partive politike kryesore në Shqipëri. Asnjë parti nuk ka monopolin e integrimit, dhe kjo është shprehje e atij konsensusi që kanë shqiptarët për këtë proces të madh. Ne jemi një nga vendet që vijmë në Europë, pas një përvoje të rëndë, tragjike të socializmit autoritar. Ndaj dhe jemi të sigurt se vetëm integrimi europian do të jetë “ilaçi” për të shëruar përfundimisht plagët tona të trashëguara apo të krijuara nga mungesa e të drejtave politike, qytetare dhe sociale. Vetëm duke qenë në habitatin tonë kontinental, ne do të realizojmë aspiratat tona shpirtërore, ekonomike dhe të zhvillimit kulturor. Nuk ka më dyshim asnjë njeri me mëndje normale, që vetëm të bashkuar me “kontinentin tonë” do të përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë.
Integrimi ynë është shprehje e besnikërisë kombëtare ndaj një bashkimi kontinental të gjithanshëm, në themel të së cilës janë barazia dhe solidariteti. Kryesore për ne është të mos ndryshojmë ëndrrën dhe dëshirën europiane, se të tjerat do të vijnë më pas… Oksidentalizmi është “fataliteti”, dëshira që të bëhemi të barabartë me perëndimorët, duke qenë shqiptarë europianë në çdo kohë...