OBAMANIA DHE KRYEMINISTRI I VENDIT TIM
Gjithë këtë javë, Europa dhe bota mbarë është përfshirë nga ajo që gazeta franceze “Liberation” dhe shumë media të tjera e kanë quajtur “Obamania”. Është fjala për turin në Lindjen e Largme dhe në Europë të kandidatit demokrat për president, “JF Kenedit të zi”, siç e quajnë disa të tjerë, Barak Obama. Veçanërisht, mitingu në Berlin dhe interesi i jashtëzakonshëm i njerëzve (rreth 200 000 mijë) për fjalimin e tij, ushtria e gazetarëve që e ndjek pas, komentet pa fund për të, stili i tij i komunikimit dhe mesazhet që ai po jep, shkaktuan në Europën e plakur një ngazëllim të paparë, sidomos mes të rinjve, sepse po duket që shekulli XXI ka prodhuar më në fund imazhin e një politikani të ri që kërkon jo vetëm të ndryshojë Amerikën e vjetër, por të shembë edhe muret e keqkuptimeve të mëdha në Europën gjithashtu të vjetër. Mirëpo ne nuk patëm as shansin, as komoditetin dhe as meritën që ta shijojmë këtë spektakël, këtë joshje kolektive që, për një çast, nxiti shpresën dhe bëri që bota të duket më e mirë, më e drejtë, që jeta të fitojë më shumë shpresë dhe ne të gjithë të ndjehemi më të motivuar për të jetuar këtu në këtë vend. Jo pse krahas “Obamanisë”, mediat botërore u morën edhe me një lajm tjetër, me arrestimin e Radovan Karaxhiçit, jo. Ne, këtë javë, fati na kishte rezervuar një spektakël tjetër. Personazh kryesor edhe këtë radhë ishte ai, Kryeministri i Shqipërisë, i cili, i shastisi që të gjithë kur, pasi ra pré e një provokimi rutinë, lëshoi nga goja tri-katër fjalë, prodhoi tre-katër imazhe dhe ndërtoi një skenë erotike dhe horrori të padëgjuar e të paparë. Ai iu hakërrye deputetit që e provokoi me shumë takt, duke zbritur nga serveri i kujtesës së tij këto modele mendore: shkërdhej, prostitutë, motel, motër, nënë. Në anën tjetër të veshit të shqiptarëve ishte imazhi i “Obamanisë” dhe slogani “This is the moment” që bota të ndryshojë, që politika e vjetër e mureve ndarëse të marrë fund, etj., etj. Në eter vërtiteshin edhe fjalët që karakterizonin Radovan Karaxhiçin, si Bin Ladeni i Ballkanit, krimineli më i madh pas Luftës së Dytë Botërore dhe portreti i tij i shfytyruar me flokë e mjekër të bardhë, me syze të trasha dhe profesioni i tij në arrati si mjek alternativ që shëron deri edhe ereksionin. Bashkë me këtë imazh edhe imazhi i Kryeministrit të vendit tim me gishtin drejtuar deputetit që e provokoi me takt dhe katër fjalët e famshme. Si duhet të ndjehem unë, ti, ne të gjithë para një realiteti të tillë. Në fillim, dhe këtë e them sinqerisht, ndjeva keqardhje dhe mëshirë për një njeri që dikur e kam pasur mik dhe tani e shoh në këtë gjendje. Fillova të arsyetoj dhe, duke vënë në punë dijen time modeste në fushë të komunikimit, nuk arrita megjithatë ta kuptoj deri në fund se çfarë ka ndodhur me Kryeministrin e vendit tim. Ndërkaq “Obamania” më kishte përfshirë edhe mua dhe nuk lija çast pa parë e ndjekur gjithçka që kishte të bënte me vizitën e Barak Obamës në Europë. U ktheva sërish në hallin tim dhe gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte kjo. Prostitucioni në Shqipëri është i ndaluar me ligj. Prostitucioni në motel gjithashtu është vepër penale. Kryeministri i vendit tim kur shan dikë në publik dhe përdor si vend të hakmarrjes së tij, pra si vend ku ai projekton mllefin e tij, një rrethanë të ndaluar me ligj dhe të dënuar penalisht, çfarë fsheh në të vërtetë? Sipas socio-psikolinguistikës, në këtë rast kemi një qendërzim maksimal të bisedës dhe identifikimi i folësit nuk bëhet me bashkëfolësin që ka përballë, por me imazhin e tij të ndrydhur. Natyrisht, mund të jetë edhe ndryshe, vetëm se është vështirë të mendosh që një shfrim të tillë brutal, banal, tmerrësisht të ulët dhe me një mungesë kontrolli alarmante, nuk duhet dhe nuk mund të kalojë lehtë. Ky shfrim banal e rrëzoi poshtë dhe e bëri asgjë euforinë që prodhoi Kryeministri i vendit tim në pjesën e parë të fjalimit, kur me buzë në gaz u numëronte shqiptarëve sukseset dhe mrekullinë e buxhetit të tij. Në një vend serioz opinioni publik duhej të tronditej dhe po të analizonte me kujdes gjithë sa tha kryeministri i vendit të tyre të hënën deri në orën 12 dhe të martën në orën 02 të mëngjesit, do të duhej të vinte alarmin dhe të bindej se vendi nuk i ka punët mirë, se hallet dhe problemet që po kalojmë janë aq të rënda sa e kanë bërë Kryeministrin e vendit tonë që të humbasë kontrollin, që të mos jetë në gjendje të ruajë emocionet. Ne të gjithë, që sot e tutje duhet të jemi të vëmendshëm dhe të hapim sytë e të shohim se çfarë gjëme po vuan qeveria, shteti, çfarë halli ka Kryeministri i vendit tonë që u katandis ashtu. Në fakt, nga kujtesa mund të zbresim me vështirësi një imazh të vjetër të një plenumi ku Enver Hoxha, ashtu si në jerm, më duket duke iu drejtuar Vito Kapos a dikujt tjetër, përmend dollarë dhe shan me nënë një puçist duke tundur në dorë një rruzare. Ai imazh është i largët dhe i ndryshëm nga ai i kryeministrit të vendit tim, sepse ky i fundit tundte gishtin dhe fjalët i artikulonte qartë. Më në fund, në qoftë se për një çast do ta merrnim seriozisht atë që ka ndodhur, do të na duhet të pranojmë se politika e vjetër në Shqipëri po na shkatërron të gjithëve dhe në një vend ku komunikimi politik zë rreth 80% të komunikimit publik, në një vend ku mediat nga mëngjesi në darkë riprodhojnë vetëm imazhe politikanësh e konferenca shtypi, të arrish që ta shpërdorosh e ta fyesh këtë mjedis, siç bëri Kryeministri i vendit tim, kjo është vërtet e papërballueshme. Kjo tregon se midis politikanëve të vjetër dhe publikut nuk ka asnjë marrëdhënie të ndërsjellë respekti. Politikani i vjetër është i bindur se publiku ha vetëm propagandë dhe shifra, se kundërshtari është armik dhe bartës i së keqes, se dialogu nuk ekziston, se vendi apo atdheu është krahina jote që zotërohet nga klani dhe fisi yt, se njerëzit nuk kanë fuqi të ndryshojnë fatin e politikanit të vjetër, por ai ka në dorë fatin e tyre. Për politikanin e vjetër bota është bardhë e zi dhe ai përfaqëson të bardhin, gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai janë të zinj. Ndaj “Obamania” po ngjall shpresë në Europën e plakur, sepse filozofia e saj është mirëkuptimi dhe shembja e mureve që na ndajnë, ndërsa filozofia e politikës së vjetër janë ngritja e mureve dhe urrejtja. “Obamania” ka në thelb edhe teorinë e suksesit, se në botë çdo gjë është e mundur, se liria mund të ndryshojë jetën e gjithkujt, ndërsa për politikanin e vjetër, bota dhe jeta jote mund të ndryshojë vetëm në qoftë se ti i shkon pas dhe e ndjek si i verbër politikanin e vjetër, madje duhet të jesh aq i verbër sa edhe në rastet kur ai shëndetërisht nuk është mire, ti duhet të thuash se i çmendur është armiku.