Konfindustria: Të ndryshohen pagat e referencës
Lobingu i biznesit thotë se pagat e përcaktuara nga qeveria nuk janë reale dhe po rrisin informalitetin
Biznesi kundërshtoi edhe një herë pagat e referencës, duke përsëritur kërkesën e rishikimit të tyre në ulje. Konfindustria kërkon rishikimin nga Ministria e Financave. Mjaft biznese prodhuese janë gjobitur nga inspektorët tatimorë për mosparaqitjen e pagave të punonjësve, siç janë vendosur nga Ministria e Financave. Por, sipas biznesit, pagat referuese janë rreth 30% më të larta nga ato realet dhe nëse vazhdohet kështu po rritet informaliteti. Qeveria publikoi një hartë të pagave për një numër të pafundmë profesionesh dhe sektorësh vitin e kaluar, me synimin për të mbledhur më shumë kontribute për Sigurimet Shoqërore dhe më shumë të ardhura nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale. Por efektet në buxhet nuk po duken. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore nuk janë rritur, ndërkohë që të ardhurat nga tatimi mbi pagat janë rritur veçanërisht nga ndryshimet formale të pagave për punonjësit buxhetorë. Këtë vit, buxheti i shtetit u detyrua të paguajë 40% të shpenzimeve për pensione të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Pagat e referencës rezultojnë veçanërisht absurde në disa kategori punonjësish si kamerierët, të cilët duhet zyrtarisht të marrin pagën minimale prej 17 mijë lekësh, por që zakonisht marrin një pagë prej më pak se 10 mijë lekësh. Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për profesionet ku ekziston praktika e marrjes së bakshishit, paga minimale është pesë herë më e ulët sesa ajo e pjesës tjetër të të punësuarve.
Në Shqipëri ka një forcë punëtore prej 1.1 milionë vetësh, nga të cilët 394 mijë vetë rezultojnë të punësuar dhe që paguajnë sigurime shoqërore. Nga të punësuarit, 167 mijë janë të sektorit publik. Skema e sigurimeve shoqërore nënkupton një depozitë që të punësuarit do të fillojnë ta përdorin kur të dalin në pension. Por të punësuarve të sotëm u kërkohet shumë më tepër nga sa do të marrin nga skema në të ardhmen.