E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burim Myftiu fiton “Fokus”

Aktiviteti Çmimin e dytë e fituan fotografët Latif Hasollos dhe Jada Caja

Fituesi i edicionit të pestë të konkursit ndërkombëtar të fotografisë artistike “Fokus 2010” është shpallur fotografi kosovar Burim Myftiu me fotografinë “Hija”. Në një ceremoni çmimesh mbajtur mbrëmjen e së premtes në qytetin e Fierit, juria e përbërë nga fotografja gjermane Jutta Benzenberg, fotografi kosovar Fahredin Spahia, dhe fotografi nga Maqedonia Osman Demiri, janë ndarë edhe çmimet më të mira. Çmimi i dytë ka shkuar përsëri në Kosovë për fotografinë “Era dhe vdekja” të Latif Hasollos, ndërsa çmimin e tretë e ka fituar fotografja shqiptare Jada Caja me “Ndiej”. Në edicionin e pestë të këtij konkursi konkurruan 170 fotografë, nga të cilët u përzgjodhën 68 pjesëmarrës në ekspozitën e përvitshme që vazhdon të qëndrojë e hapur deri më 17 dhjetor në hollin e teatrit “Bylis” në Fier. Për fotografët e ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Greqia, Danimarka, Turqia, Serbia, Franca, Amerika, Holanda dhe Gjermania nuk pati ndonjë temë të caktuar për konkurrim. Sipas Arben Alliajt, organizatorit të këtij konkursi, “Fokus” është një aktivitet artistik për evidentimin dhe vlerësimin e fotografisë artistike, e mbi të gjitha një mundësi për shprehje sa më të lirë dhe transparente në botën e fotografisë artistike. Njëkohësisht, ky konkurs vë në përballje eksperienca të ndryshme nga rajoni.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›