E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIFF, nis sot gara e filmave

Festivali Konkurrojnë 83 filma. Homazh për Chabrol, Fehmiun dhe Sërbon

Edicioni i tetë i “Tirana International Film Festival” ngre sot siparin. Filma në garë sipas seksioneve përkatëse, seminare, të ftuar, homazhe për aktorët e ndarë nga jeta dhe në fund çmime për më të mirët do të jenë pjesë e këtij edicioni, i cili do të mbahet deri më 18 dhjetor në Qendrën e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes dhe në sallën e Arkivit të Filmit. Nga 760 filma të paraqitur nga 50 vende të botës, në këtë edicion të tetë do të konkurrojnë 83 filma sipas kategorive: 10 filma të gjatë artistik, 41 filma të shkurtër, 9 eksperimentalë, 14 dokumentarë dhe 9 të animuar. Vijnë nga vende të ndryshme të botës si: Shqipëria, Argjentina, Armenia, Australia, Austria, Belgjika, Bosnjë-Hercegovina, Bolivia, Brazili, Bullgaria, Kanadaja, Kili, Kina, Kuba, Qipro, Danimarka, Gjermania, Egjipti, Anglia, Nigeria, Pakistani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. Një ndër të ftuarit e këtij edicioni është Jean-Philippe Laroche, i cili do të jetë i pranishëm në homazhin që i kushtohet Claude Chabrol, si dhe për prezantimin e filmit në konkurrim “Queen to Play” të Caroline Bottaro, ku ai është producent. Po për t’i bërë homazh Chabrol-it do të jetë edhe inxhinieri i zërit Jean-Bernard Thomasson. I ftuar special është regjisori spanjoll Juanma Bajo Ulloa, autor i filmave “Airbag” dhe “La madre muerta”, si dhe regjisori serb Boris Mitiç, i cili është njëkohësisht anëtar jurie dhe do të prezantojë projektet e tij të fundit filmike. Gjatë këtij edicioni do të kujtohen edhe dy aktorët shqiptarë, Bekim Fehmiu dhe Llazi Sërbo, të cilët zgjodhën t’i japin fund tragjikisht jetës. Në nder të Fehmiut do të shfaqet një nga filmat e tij më të suksesshëm: “Mbledhësi i puplave” (I Even Met Happy Gypsies) prodhim i vitit 1967, ndërsa për nder të Sërbos do të shfaqet filmi “Operacioni Zjarri” me regji të Muharrem Fejzos. Ndërkohë, juritë për çdo kategori do të zgjedhin më të mirët në përfundim të festivalit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›