E Diel, 1 Nëntor 2026

Në takimin e 6-të të Task Forcës Kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore të Paktit të Stabilitetit, të zhvilluar në Beograd, nga data 23-24 Mars 2004, morri pjesë një delegacion shqiptar

Në takimin e 6-të të Task Forcës Kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore të Paktit të Stabilitetit, të zhvilluar në Beograd, nga data 23-24 Mars 2004, morri pjesë një delegacion shqiptar i kryesuar nga Ministri i Shtetit për Koordinim, z. Marko Bello, me cilësinë e Kryetarit të Komitetit Shtetëror Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore dhe Koordinatorit Kombëtar në kuadër të Paktit të Stabilitetit.

Në këtë Konferencë pjesëmarrsit diskutuan kryesisht rreth strategjive kombëtare kundër trafikimit të fëmijëve. Në këte kuadër, Ministri Bello në fjalën e tij theksoi se
përmirësimi i bazës ligjore për goditjen dhe dënimin e trafikantëve është një ndër prioritetet e Qeverisë Shqiptare, të parashikuara edhe në Strategjinë Kombëtare Kundër Trafikut të Fëmijëve.

"Rëndësia e këtij takimi qëndron në faktin se tashmë vendet e rajonit janë ndërgjegjësuar për rëndësinë që ka lufta kundër këtij fenomeni të shëmtuar. Në këtë këndvështrim Qeveria Shqiptare e ka vënë theksin në përsosjen e mekanizmave koordinues dhe instrumentave përkatës për përballjen me këtë sfidë komplekse, duke marrë në konsiderate, si një faktor përcaktues bashkëpunimin me të gjithë aktorët e shoqërisë civile", tha Ministri Bello.

Në prezantimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Trafikut të Fëmijëve Ministri Bello prezantoi shkurtimisht thelbin e kësaj strategjie, e cila ka si pesë çështje të rëndësishme, që lidhen me suksesin e masave të parashikuara, përkatësisht Parandalimin, Mbrojtjen, Investigimin dhe Dënimin e Trafikantëve, Kthimin Vullnetar të Viktimave dhe Masat Koordinuese.

Në fushën e parandalimit theksi është vënë në identifikimin dhe gjykimin e trafikuesëve të fëmijëve, si dhe masave të tjera plotësuese të tilla si fushatat ndërgjegjësuese, edukimin dhe trainimin e burimeve njerëzore të angazhuara në të dy nivelet, atë qendror dhe lokal. Mbrojtja dhe Riintegrimi i Fëmijëve është një komponent i rëndësishëm si për akomodimin dhe krijimin e kushteve për fëmijët e trafikuar, ashtu edhe në riintegrimin e tyre në jetën normale. Në këtë kuadër, përmirësimi i bazës ligjore do të shoqërohet me trajtimin e fëmijëve që braktisin shkollën, fëmijët që punojnë ilegalisht, si dhe trainime plotësuese për personelin e qendrave pritëse. Ndihma për rikthimin vullnetar të fëmijëve do të shoqërohet me negocimin e marrëveshjeve dypalëshe në vendet ku numuri i fëmijëve shqiptarë të trafikuar është me i madh

Një rol të rëndësishëm do të kenë në këtë drejtim edhe stafet tona konsullore në përfaqësitë diplomatike. Koordinimi me parteneret tanë në përpjekjet kundër trafimit të fëmijëve është vital dhe ai do të orientohet si në forcimin e strukturave qendrore po ashtu edhe në krijimin e kapaciteteve lokale të afta për t'u përballur me çështje të tilla sensitive.

Më tej, Ministri Bello informoi pjesëmarrësit se në përputhje me vendimet dhe angazhimet e Konferencës së Tiranës, në Janar 2004, Qeveria Shqiptare ka ngritur grupin e punës për hartimin e një memorandumi që do të negociohet me Qeverinë Greke, me objetiv afatshkurtër Lojrat Olimpike dhe aftagjatë eleminimin e këtij fenomeni.

Në përfundim, zoti Bello theksoi se për këtë qëllim ideja e "binjakëzimit" duhet "të mirëpritet si një njohje të dimensionit shumë më të gjërë të trafikimit të qenieve njerëzore dhe si një pranim të përgjegjësive të përbashkëta të Vendeve Perëndimore dhe atyre të Europës Juglindore për të gjetur zgjidhje të përbashkëta në luftën kundër këtij fenomeni".

Pjesëmarrësit në Konferencë vlerësuan maksimalisht Strategjinë e hartuar si dhe angazhimin e kontributin konkret që Shqipëria po jep në këtë drejtim. Në komentet e tyre ata theksuan se ky dokument përbën një shembull për seriozitetin dhe marrjen përsipër të përgjegjësive me objektiva dhe prioritete të mirëpërcaktuara.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›