E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në të gjithë vendin po ndodhin ndryshime të mëdha infrastrukturore”

25-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha flet për inaugurimin e 6 veprave publike në Qarkun e Dibrës  


Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e grupit kuvendor të PD-së, se në të gjithë vendin po ndodhin ndryshime të mëdha infrastrukturore. Duke iu referuar turit të inaugurimit të 6 veprave publike në Qarkun e Dibrës, Berisha tha në gjithë Shqipërinë po ndodhin ndryshime të mëdha. “Dua t’u informoj për një investim thelbësor që po ndodh në Dibër dhe në mbarë vendin me infrastrukturën. Unë mund t’ju them, se në rast se mandati i parë u dominua nga ‘Rruga e Kombit’, ky mandat do të vijohet nga ‘rruga e qytetarit’, në kuptimin që, e para është e vërtetë pasi kombi është i pari, por dhe e dyta është po kaq e vërtetë sepse po çojmë rrugët te çdo qytetar”, u shpreh kryeministri. Inaugurimet e kryeministrit filluan nga rruga e fshatit Zerqan, për të vijuar në Kastriot dhe Kovashicë. “Ishin 6 projekte të fshatrave të tjera, Kastriot, Kovashicë, etj. Gjatë qëndrimit të shkurtër por shumë intensiv, ajo që më bëri përshtypjen më të madhe ishte optimizmi i atyre njerëzve. Unë u flisja për rrugën, ata më flisnin për turizmin, për drurët frutorë, për bahçet e pemishtet që kanë mbjellë e do mbjellin. Autoritetet vendore më informuan se ka shpërthyer një pasion i madh për arrat. Peshkopia është vendi i mollës dhe qershisë të cilësive më të mira në Evropë, por është dhe një vend i shkëlqyer për arrat”, tha Berisha. Kreu i qeverisë foli dhe për takimin me drejtuesit vendorë në Peshkopi, ku dëgjoi nga afër shqetësimet e komunitetit. Berisha ka garantuar drejtuesit vendorë se qeveria do angazhojë të gjitha forcat e saj në investimet infrastrukturore. Në këtë drejtim, Berisha premtoi ndërtimin e rrugës së Arbërit, veprës më të madhe infrastrukturore që lidh Tiranën dhe Dibrën. “Unë u takova edhe me qeveritarët vendorë të të gjithë spektrit. Dua t’i përshëndes secilin prej tyre për mënyrën e përgjegjshme se si ata përcollën shqetësimet e komunitetit, por edhe sensin pozitiv në të gjitha rastet. ‘I përkas partisë tjetër dhe jam në mandatin e tretë’, do më thoshte një kryetar komune, ‘por unë jam krenar me ato që qeveria juaj më ka bërë të mundur të investoj në komunën time’, dhe vijonte të numëronte çfarë kishte realizuar. Natyrisht, së bashku me deputetët, ne i dëgjuam të gjitha problematikat e tyre, jo të pakta por të zgjidhshme. Kam shkuar shumë herë në Peshkopi dhe shkoj me kënaqësi sepse ata që kanë qenë në Peshkopi e dinë që aty gjen rrafshnaltën më të bukur, e rrethuar me male, është një rrafshnaltë e mrekullueshme. E vërteta është se kësaj radhe gjeta një Peshkopi tjetër, nga çdo zemër, nga çdo shpirt, nga çdo mendje e tyre buronte vetëm një thirrje ‘Rruga e Arbrit’. Po të shkosh në Peshkopi nuk ka si të mos të të burojë ajo fjalë, sepse ajo rrugë e afron dhe e sjell Bulqizën afër Tiranës, njësoj si Shijaku. Sot, për të shkuar në Bulqizë, mua me eskortë më duhen 2 orë rrugëtim, të tjerëve u duhen 3 orë. Ndërsa në Rrugën e Arbrit, Bulqiza vjen në distancën e Krujës e të Shijakut. Nuk ka ëndërr më të drejtë, më legjitime. Kjo ishte dëshira e tyre e madhe. Unë i garantova se qeveria do të bëjë gjithçka për ta shndërruar këtë ëndërr shekullore në realitet dhe se po ecim me ndërtimin e saj, si nga drejtimi i Tiranës ashtu edhe nga Bulqiza. Rruga ka lëshuar shtat pothuajse deri te Qafa e Vashës. Edhe nga Tirana ka ecur deri në Qafë Murriz. Mbetet tashmë ura dhe tuneli, theksoi Berisha, ndërsa shtoi se, janë tre tunele që ndryshojnë në mënyrë përfundimtare në shekuj dhe mijëvjeçarë këtë vend; Tuneli i Kalimashit, tuneli i Elbasanit, tuneli i Qafë Murrizit. Imagjinoni qytetarin të niset nga  Kalaja e Dodës e të mbërrijë në Tiranë për 1 orë e gjysmë. Nuk ka për të arritje më të madhe”.    

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›