S’ndalet hemorragjia - shpërbëhet përfaqësimi politik i PS në Vlorë

E djathta ka marrë drejtimin e këshillit të Qarkut Vlorë, pasi kandidati i Edi Ramës në këtë garë, s’ka marrë asnjë nga votat e aleatëve të opozitës, bile as disa prej votave të këshilltarëve të PS. Deputetët klithin për tradhti, por shpërbërja është lëvizje politike që pritet të përshpejtojë thërrmimin e sektit “Rama” në opozitë
“Aleanca për Qytetarin” fiton shumicën edhe në këshillin e qarkut të Vlorës, ku
Anesti Dhimojani, kandidat i Partisë Demokratike, është zgjedhur dje kryetar i Këshillit të Qarkut, në përfundim të procesit të votimit për këtë funksion.
Ai ka marrë 37 vota nga 22 vota që ka marrë rivalja e tij, kandidatja e Partisë Socialiste dhe Koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Bruna Mersini. Kjo mbledhje e parë e këtij organi, që shënon edhe konstituimin e tij, sikurse parashikohet edhe në ligj, është thirrur dhe është drejtuar nga kryebashkiaku vlonjat Shpëtim Gjika, që është kryetari i njësisë më të madhe vendore në shkallë qarku. Procesi i votimit është zhvilluar i qetë dhe i fshehtë. Në përfundimin e tij, rezultoi fitues kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.
Në një prononcim për mediat, kryetari i sapo zgjedhur i Këshillit të Qarkut, Anesti Dhimojani, theksoi se fitorja e tij është shprehje e besimit për koalicionin që ai përfaqëson. Konstituimi i Këshillit të Qarkut dhe zgjedhja e kryetarit të tij, shënon edhe mbylljen përfundimtare të procesit zgjedhor në këtë njësi administrative pas zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Në zgjedhjet vendore të 8 majit, nga 13 njësitë e qeverisjes vendore në rrethin e Vlorës, përfaqësuesit e PS-së kanë fituar në 8, ndërkohë që ata të Partisë Demokratike në 5 prej tyre. Por, në shkallë qarku, gjeografia zgjedhore e fituesve është e ekuilibruar. Kjo për shkak se në disa njësi fituesit janë të subjekteve të tjera zgjedhore.
Bashkitë, komunat, këshillat bashkiakë dhe ata komunalë, përfaqësohen me një numër të ndryshëm anëtarësh në Këshillin e Qarkut, në varësi të numrit të popullsisë dhe klauzolave të tjera ligjore. Në këtë mënyrë, përbërja e Këshillit të Qarkut reflekton një spektër më të gjerë të përfaqësimit politik.