Kosova është de facto anëtare e NATO-s

“Karta e Adriatikut”, marrëveshja që solli ndryshime epokale në rajon. Berisha: “Rajoni ka lënë pas të shkuarën, është drejt një bashkëpunimi shembullor”
Delegacione nga të gjitha vendet e rajonit janë mbledhur sot në Tiranë në konferencën me temë “Karta e Adriatikut, Integrimi Euro-Atlantik dhe Sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, që organizohet nga Kuvendit i Shqipërisë dhe do të zgjasë dy ditë. Qëllimi i kësaj konference është mbështetja e axhendave të përbashkëta nga parlamentet kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas drejtimeve të konceptit strategjik të miratuar në Lisbonë. Sesioni i hapjes u përshëndet nga ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, kryeministri Sali Berisha si dhe kryeparlamentarja, Jozefina Topalli.
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në çeljen e punimeve të “Kartës së Adriatikut” se kjo marrëveshje mes vendeve të rajonit dhe SHBA-së, ia ka arritur qëllimit të saj, duke sjellë ndryshime epokale në rajon, duke bërë që edhe vendet armike të nisin bashkëpunimin.
“Para së gjithash, unë dua të shpreh në këtë konferencë mirënjohjen më të thellë, ndaj atyre që ideuan dhe themeluan, këtu në Tiranë, Kartën e Adriatikut, si një instrument të ri, me të cilën donin të ndihmonin vendet tona, për progres në rritje, drejt anëtarësimit në NATO, të falënderoj qeverinë e SHBA-ve, ish sekretarin e Shtetit Colin Poëell, por edhe qeverinë e presidentit Obama për themelimin dhe interesin e tyre konstant, për funksionimin e kësaj nisme, e cila ia doli të shënojë ndryshime epokale në rajonin e Ballkanit, të bëjë kombet e këtij rajoni më të sigurta se kurrë. Ishte kjo nismë, Karta e Adriatikut, e cila u shndërrua në një proces që bëri të mundur anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë, Kroacisë, de fakto, dhe të Maqedonisë de juro, për shkak të problemit të emrit, ende jo. Është kjo nismë, e cila mirëpriti dhe mirëpret vende të tjera, si Malin e Zi, Bosnjën, mbetet e hapur plotësisht dhe funksionon me Serbinë dhe Kosovën. Nisma, ‘Karta e Adriatikut 5’ sot, menjëherë pas themelimit u shndërrua në një mekanizëm të fuqishëm të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal në çështjet më sensitive të vendeve dhe kombeve që janë, çështjet e sigurisë. Kjo Kartë shërbeu për ndërtimin me shpejtësi të urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve që më parë nuk e kishin parë me sy të mirë njëri-tjetrin dhe sot grupon vende, që deri dje kanë qenë armiq të egër ndaj njëri-tjetrit, por që kanë vullnetin për të shkruar një kapitull të ri në historinë e paqes, sigurisë, bashkëpunimit ndërmjet tyre”, u shpreh Berisha.
Duke e cilësuar këtë kartë unike në llojin e vetë, Berisha përmendi edhe shtetin më të ri të rajonit, Kosovën si një vend që paraqet siguri për Ballkanin. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë siguroi se “Shqipëria është e vendosur të japë çdo kontribut në sigurinë kolektive, që përbën formën më të lartë të sigurisë, forma jetike për çdo vend. Siguria kolektive është roli ndërkombëtar i vendeve të lira”.
Topalli: Shqipëria në NATO, faktor paqeje dhe stabiliteti
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi dje se Shqipëria si anëtare e NATO-s ka kontribuar dhe po vazhdon të kontribuojë në mënyrë aktive në sigurinë e rajonit, por jo vetëm të rajonit.
Gjatë fjalës së saj në konferencën e Kartës së Adriatikut me temë “Integrimi Euro-Atlantik dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, Topalli tha se “Shqipëria, si vend i NATO-s po kontribuon për sigurinë globale bashkë me vendet e tjera. Shqipëria në NATO është garancia e lirisë. Shqipëria në NATO është garancia sigurisë, është garancia e zhvillimit në tërësi”.
Duke përshkruar rrugën e gjatë dhe të vështirë të Shqipërisë përgjatë tranzicionit, Topalli tha se
Shqipëria është vendi që ka ndryshuar më shumë se çdo vend tjetër në këto 20 vjet dhe kjo vetëm për shkak të reformave dhe modelit ekonomik të adaptuar.
Ajo vuri në dukje se edhe pse Kuvendi ka miratuar 400 ligje e projektligje, votat nuk kanë shkuar për 4 ligje që kërkojnë 84 vota. Topalli bëri përgjegjës opozitën për bllokimin e ligjeve, të cilat sipas saj vonojnë integrimin e vendit.
Arvizu: “Karta e Adriatikut”, ndihmë e çmuar për NATO-n
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, vlerësoi ndihmën që vendet e “Kartës së Adriatikut” po ofrojnë në misionet e NATO-s dhe rolin që ka luajtur kjo Kartë në fuqizimin e vendeve të rajonit. “SHBA-të janë krenarë që janë pjesë e Kartës së Adriatikut. Ne besojmë në vendet që ju përfaqësoni dhe më e rëndësishmja besojmë në popujt që ju përfaqësoni”, tha Arvizu.
Ai gjithashtu theksoi se SHBA-ja është e gatshme për të bashkëpunuar me të gjitha vendet e rajonit për të ruajtur sigurinë në botë, duke shtuar se SHBA-ja nxit Bosnjen dhe Maqedoninë për të vazhduar përpara me planet e tyre për anëtarësim.
Ambasadori Arvizu theksoi se SHBA mbështet politikën e dyerve të hapura.
Ambasadori Arvizu theksoi se integrimi euroatlantik kërkon më shumë bashkëpunim dhe kompromis. “Integrimi euroatlantik kërkon angazhim dhe si i tillë ky angazhim bie mbi parlamentin dhe këtu në Shqipëri në parlamentin shqiptar, tha ambasadori i SHBA. Debati i shëndetshëm është një pikë, por po ashtu është edhe kompromisi”, theksoi ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu.