E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama: Çështja “Mediu” është mbyllur, vendosi Gjykata e Lartë

 

Trazhgim Sokolaj

Ina Rama shkarkoi dje Prokurorinë nga përgjegjësia për pushimin e akuzave ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu në Gjykatën e Lartë. Pasi pohoi se organi i akuzës bëri detyrën, Ina Rama tha se pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Prokuroria nuk ka mundësi të mëtejshme veprimi me dosjen dhe akuzat ndaj Mediut. "Ne bëmë punën tonë, por ajo që vendos në fund është gjykata, ajo dha vendimin e saj", tha kryeprokurorja Ina Rama. Ajo ishte e pranishme në Konferencën Rajonale Antikorrupsion të organizuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Pas këtij aktiviteti, kryeprokurorja iu përgjigj interesit të medias lidhur me vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë, e cila tri ditë më parë pushoi dosjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu, i akuzuar më parë nga Prokuroria për "shpërdorim detyre". "Qëndrimi i Gjykatës së Lartë është një interpretim i normave kushtetuese dhe procedurale", komentoi Ina Rama vendimin e Kolegjit Penal. Ajo tha më tej se Prokuroria ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm, duke dhënë edhe argumentet. "Por në fund është Gjykata ajo që vendos", tha kryeprokurorja Ina Rama, ish-gjyqtare e Apelit të Krimeve të Rënda në Tiranë. Një ditë pasi një nga dosjet më të rëndësishme të Prokurorisë shqiptare u pushua në Gjykatën e Lartë, kryeprokurorja Ina Rama fajësoi dje median për nxjerrjen e sekreteve hetimore. "Gazetaria investigative duhet të zhvillohet deri në ato kufij sa të mos cenojë hetimin, por në të kundërt ta ndihmojë atë", referoi Ina Rama.
SHBA: Luftë korrupsionit
Zv.ambasadorja amerikane në Tiranë, Deborah Jones, theksoi dje në konferencën rajonale se, "lufta kundër korrupsionit është shumë e rëndësishme për çdo vend". "Administrimi i drejtësisë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë është thelbësore për një shoqëri të drejtë dhe gjithashtu raportimi i saktë mbi sistemin gjyqësor është kritik", tha zv.ambasadorja amerikane në Tiranë. Sipas saj, qeverisja është konceptuar në tri kolona kryesore: ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori. "Pushteti i katërt është shtypi, i cili ka një rol thelbësor në luftën kundër korrupsionit, pasi shërben si monitoruesi i shoqërisë dhe mbrojtës i interesit publik", tha zv.ambasadorja e SHBA në Tiranë gjatë fjalës së saj në konferencën e djeshme. Ajo theksoi më tej se, "në një sistem demokratik prokurorët janë të pavarur dhe të lirë nga influencat". Sipas saj, ashtu si prokurorët, edhe gjyqtarët duhet të jenë të pavarur në ruajtjen dhe administrimin e drejtësisë".
"Debati" me Pollon
Ministri i Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin, Genc Pollo, i cili ishte i pranishëm në konferencën e djeshme, i bëri apel Prokurores së Përgjithshme të luftojë "delet e zeza" në organin e akuzës. Gjatë fjalës së tij, Pollo renditi një sërë argumentesh, por ndaloi edhe te Prokuroria dhe lufta kundër korrupsionit në radhët e saj. Në këtë moment, ministri është kthyer nga Ina Rama duke thënë se, "dele të zeza ka edhe në prokurori". Ministri Polli ka pohuar më tej në fjalën e tij se nuk është bërë puna e duhur për largimin e "deleve të zeza" nga Prokuroria. Gjatë kësaj kohe nuk pati batuta direkte të shkëmbyera mes ministrit dhe kryeprokurores Ina Rama, megjithatë kjo e fundit ka ndjekur me interes fjalët, që më shumë sesa ndaj sallës, dukej se ishin drejtuar në adresë të saj.

Pollo: Duam heqjen e imunitetit të zyrtarëve, por nuk i kemi votat
TIRANE - Ministri i Shtetit për reformat dhe marrëdhëniet me Parlamentin i bëri thirrje dje opozitës të shkojë në Parlament dhe të bëhet pjesë e reformave të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit. "Vullneti i qartë politik është elementi kryesor që ndikon në ndryshimin e situatës dhe pastrimin e kanaleve të shtetit dhe shoqërisë nga korrupsioni", tha Pollo. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit ishte një nga premtimet kryesore të Kryeministrit Berisha në vitin 2005, ndërsa rizgjedhja e tij në 2009-ën konfirmoi nevojën për vazhdimin e kësaj lufte. Ministri Polli tha se në vitet e fundit përdorimi i teknologjisë së informacionit ka reduktuar dukshëm taktikat korruptive. Pollo tha se korrupsioni dhe veprat antiligjore në Policinë e Shtetit janë luftuar me një vendosmëri të qartë gjatë viteve të fundit. Ai shtoi më tej se përdorimi i teknologjisë së informacionit te tatimet ka evituar në një masë të madhe kontaktin mes tatimpaguesit dhe zyrtarit tatimor. "Tani shumë procese, si hedhja e të dhënave, deklarimi i të ardhurave, kryhen online, duke mos lejuar që një zyrtar i korruptuar të bëhet pengesë", tha ministri. Ai evidentoi se, "Shqipëria është vendi i parë që aplikon në shkallën 100 për qind prokurimet elektronike, ndërsa në fushën arsimore, pranimi në universitete përmes testimeve kombëtare të administruara në mënyrë elektronike eliminon çdo mundësi për korrupsion". Duke iu rikthyer përsëri sistemit të drejtësisë, Pollo tha se, "është e vështirë të kemi një sistem të qëndrueshëm ku korrupsioni dhe krimi të mbeten në minimum, nëse nuk do të kemi organe të zbatimit të ligjit që të zbatojnë me forcë dhe vendosmëri ligjin". "Një nga angazhimet tona ishte heqja e imunitetit për çdo zyrtar, duke filluar nga anëtarët e qeverisë dhe ata të Parlamentit. Kjo nuk u realizua, pasi duhej konsensus për të realizuar amendimin e Kushtetutës", tha më tej Pollo, i cili ftoi opozitën të tregohet bashkëpunuese në legjislaturën e ardhshme. Ministri ftoi opozitën të bashkëpunojë edhe për miratimin e ligjit "Për gjykatat administrative", i cili sipas tij synon të krijojë një organ të vlefshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë në kuadër të luftës kundër korrupsionit.

Gjykata e Lartë pushoi akuzën e Fatmir Mediut
TIRANE - Tri ditë më parë Gjykata e Lartë vendosi të pushojë akuzën dhe gjykimin ndaj Fatmir Mediut. Gjykata konstatoi pamundësinë e vazhdimit të procesit gjyqësor ndaj Mediut, pasi ai ka marrë mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë. Mediu u mandatua nga KQZ-ja dhe më pas u betua në Parlament pasi fitoi mandatin në zgjedhjet e 28 qershorit si deputet i Partisë Republikane në Tiranë. "Në bazë të vendimit nr. 602, dt. 01.08.2009 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se i pandehuri Fatmir Mediu është zgjedhur deputet i legjislaturës së XVIII të Kuvendit të Shqipërisë dhe kjo rrethanë nuk lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të tij për aq sa nuk ka një autorizim për ndjekje penale të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë mbas marrjes prej tij të mandatit të deputetit", theksoi Gjykata e Lartë në vendimin e saj. Mediu u mor i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme në prill 2008, kur organi i akuzës kërkoi autorizimin e Parlamentit për të zhvilluar hetime ndaj tij. Në përfundim të hetimeve organi i akuzës e dërgoi Mediun të pandehur në Gjykatën e Lartë bashkë me 28 zyrtarë të tjerë. Kolegji Penal e ndau dosjen duke mbajtur vetëm Mediun në gjykim, ndërsa të pandehurit e tjerë i kaloi në Gjykatën e Tiranës, ku vazhdon dhe gjykimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›