E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacientja e transplantuar, mjekët: Javën e ardhshme del nga spitali



Matilda, 19-vjeçarja nga Korça, gëzon shëndet të mirë

Transplanti i dytë zhvillohet pas datës12 prill

Matilda, 19-vjeçarja, e cila iu nënshtrua transplantit të parë të veshkës në QSUT, mund të lërë spitalin javën e ardhshme. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e saj është e qëndrueshme dhe ndoshta do të vendosin të hënën për daljen e saj nga spitali. Shefi i shërbimit të Nefrologjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, prof. Nestor Thereska, tha: “Gjendja e pacientes është e mirë, të gjithë parametrat mjekësorë, duke përfshirë dhe diurezën, janë normalë”. Sipas tij, gjendja e pacientes 19-vjeçare vazhdon të ndiqet në vazhdimësi, ndërkohë që dhuruesi i veshkës, i ati i saj, është në gjendje mjaft të mirë shëndetësore.

Operacioni

Ndërhyrja e parë kirurgjikale e transplantit të veshkës u realizua në datën 26 mars nga mjekët e QSUT-së, të asistuar nga profesorët italianë të klinikës së Barit. Ky ishte transplanti i parë që kryhej në shërbimin shëndetësor publik, duke u konsideruar dhe si një kthesë e madhe në mjekësinë shqiptare. Transplanti i veshkave, i cili, si çdo operacion tjetër, ofrohet falas për qytetarët shqiptarë, u realizua në kuadër të programit INTERREG III, të financuar nga Komuniteti Evropian.

Rastet

Pas kryerjes së transplantit të parë mjekët e nefrologjisë dhe urologjisë kanë evidentuar nevojat e mëdha që ka vendi ynë për kryerjen e këtyre lloj operacionesh. Sipas tyre, njihet historikisht fakti se veshka është transplantuar e para si organ, pastaj ka filluar zemra, mushkëritë, tani edhe pankreasi, mëlçia e të tjera. Ata theksojnë se duhet të zgjerohet numri i të sëmurëve që përfitojnë nga transplanti i veshkës, sepse janë rreth 500 të sëmurë që presin për të. Ndërkohë që dihen mjaft mirë mundësitë që ka shteti ynë. Mjekët theksojnë se një gjë tejet e mirë është fakti se familja shqiptare është e lidhur me dhuruesit. Për ta kjo është gjë e mirë. “Por duhet të fillojmë të punojmë edhe me veshkat e personave që humbasin jetën për shkak të sëmundjeve apo aksidenteve, por që i kanë organet e tyre në gjendje të shëndoshë, si tërë bota. Por ajo është një etapë e dytë dhe kërkon një organizim të përgjithshëm jo vetëm mjekësor, por edhe infrastrukturor, si dhe ekipe të përgatitura jo vetëm në qendër, por edhe në periferi, aty ku ndodhin aksidentet, në mënyrë që të hiqen dhe të ruhen organet. Kërkon pastaj një informatizim të mirë, për të bërë tipizimin biologjik, pra për të caktuar pajtueshmërinë, pasi jo çdo veshkë mund t’i dhurohet çdo njeriu”, -shprehen mjekët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›