E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës,operacioni “Vila”, arrestohen për vjedhje 2 shtetas



Policia e qytetit bregdetar të Durrësit ka vënë në pranga dy persona të akuzuar për vjedhje të ndryshme. Sipas burimeve policore, në kuadër të operacionit të koduar “Vila”, Komisariati i Policisë Shijak në bashkëpunim me Seksionin për Krimet kundër Pronës, por edhe policinë e Dibrës, bënë të mundur ndalimin e shtetasve Sokol Duka, 36 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Shtushaj Dibër, Flamur Hoxha, 39 vjeç, lindur në Shupenzë Dibër dhe banues në fshatin Sukth Durrës. Këta shtetas u ndaluan pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe një shtetas tjetër me banim në Dibër rezultojnë të jenë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura muajt e fundit në zonat Sukth, Fermë Xhafzotaj, Plazh. Sipas policisë dyshohet se këta shtetas më datë 28.01.09, në fshatin Perlat Durrës kanë kryer vjedhje në banesën e shtetasit Mustafa I. Sendet e vjedhura prej tyre janë 4 televizorë plazma, 3 kompjutera, një laptop, dy tapetë, një ekspres kafeje, dy abazhurë. Gjithashtu, më datë 05.02.09 në fshatin Fermë Xhafzotaj kanë vjedhur me thyerje dyqanin me pjesë këmbimi për autovetura në pronësi të shtetasit Osman V. Më datë 05.02.09 në lagjen nr. 13 Plazh kanë kryer vjedhje në supermarketin ushqimor në pronësi të shtetasit Roland. K., ku kanë marrë një televizor plazmë 22 polësh, si dhe një sasi të konsiderueshme mallrash ushqimore. Ndërsa, më datë 01.04.09 në lagjen nr. 13 Plazh kanë vjedhur pajisjet e një lavazhi, pronë e shtetasit Fahri. P. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, në banesën e shtetasit Sokol Duka në fshatin Shtushaj Dibër, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, të gjitha sendet e vjedhura në dyqanet e shtetasve Osman V. e Fahri P. Ndërsa sendet e vjedhura në banesën e shtetasit Mustafa I. u gjetën në banesën e shtetasit Flamur Hoxha. Për bashkëpunëtorin tjetër të këtyre vjedhjeve, tashmë të identifikuar, është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. “Dokumentimi me prova të pakundërshtueshme për veprat penale të kryera nga këta persona u arrit në sajë të një pune të mirorganizuar, duke përdoruar teknikat e specializuara për hetimin e krimeve, si dhe duke bashkëpunuar me kolegët e policisë në Dibër”, - bënë të ditur burimet zyrtare të policisë së qytetit bregdetar të Durrësit. Materialet për veprën penale të “vjedhjes” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme hetimore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›