Në treg 100 mijë euro ushqime dhe pije të skaduara
Dashamir Biçaku
TIRANË- Pronari i një magazine në të cilën falsifikohej skadenca e mallrave ushqimorë, si dhe dy punëtorë të tij, që kryenin detyrën e shoferëve dhe të magazinuesve, u arrestuan nga zyra e antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, me akuzat e falsifikimit të dokumenteve, dhe tregtimin e mallrave të rrezikshëm. Ilirian Pira, 21 vjeç nga Tirana banues në Bathore, u ndalua nga zyra e hetimit të Antikrimit Ekonomik të Tiranës, bashkë me dy punonjësit e tij Nefail Jahon, 50 vjeç, si dhe Agim Abdullai, 27 vjeç. Ata u kapën nga policia në flagrancë pasi në shtëpinë e Pirës, në rrugën Demokracia në Bathore të Kamzës, u gjetën dhe u bllokuan një sasi mallrash të skaduara dhe të rrezikshme të skaduara vlera e të cilave në tregun e shitjes me pakicë arrinin në shumën e 100 mijë eurove.
Nga hetimi i kryer u zbulua se këta persona blinin mallra të skaduar apo që ishin drejt skadencës dhe që duheshin asgjësuar. Më pas mallrat dërgoheshin në banesën e Pirës në Bathore të Kamzës me dy automjete në pronësi të tij dhe magazinoheshin në katin e parë të shtëpisë tri katëshe. Burimet e policisë thanë se në një pjesë të magazinës së Pirës, në një vend të veçuar nëpërmjet një pajisjeje që quhej dator, fshihej data e skadencës e stampuar në produkt apo në ambalazh. Më pas nëpërmjet një pajisjes stampoheshin datat e reja, ndërsa mallrat e ambalazhuar vendoseshin në një transportier, në të cilin kaloheshin pranë datorit, vlera e së cilës arrinte në rreth 3 milionë lekëve të vjetra.
Pas ndërrimit të datës së skadencës personat i hidhnin mallrat në treg, duke i dërguar në dyqane dhe markete të ndryshme, kryesisht në zona fshatare, periferike ku edhe mundësia për të kryer kontrollet, nga organet e kontrollit si ato të Shëndetit Publik, ato Tatimore etj, ishin më pak të mundshme. Burimet e policisë thanë se nga hetimi i kryer në disa raste kanë gjetur mallra që ishin dërguar për shitje në supermarkete të qendrave të ndryshme tregtare në Tiranë. Policia tha se gjatë kontrollit që kishte kryer në magazinën e të arrestuarit Pira, dhe dy automjeteve në pronësi të tij, që përdoreshin nga dy punonjësit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme mallrash ushqimore të llojeve si pije freskuese, patatina, çokollata, lëpirëse, biskota, lëngje frutash, të gjitha të skaduara, por që iu ishte ndryshuar afati i skadencës dhe që ishin përgatitur për tu rihedhur përsëri ne treg. Policia tha se ka bërë edhe sekuestrimin e pajisjes që shërbente për ndryshimin e datës se skadencës si dhe dy automjeteve me targa AA 092 BS, dhe AA 06679 BA, që kryenin transportimin e mallrave.
1. 1 copë makineri elektronike për ndryshimin e datës së skadencës së mallrave
2. 650 koli me AMARETA me mbishkrimin SABINA.
3. 92 koli 1.5 litërsh bidoni me lëng SAN Benedetto .
4. 30 koli me bidonë me lëng ngjyrë portokalli BL VCK.
5. 30koli me kanoçe me ngjyre blu me mbishkrimin ICE
6. 40 koli, me mbishkrimin BLVCK.
7. 40 koli l.5 litërshe me mbishkrimin multivitaminë.
8. 15 koli me sapun DURU
9. 20 koli patatinash CLIP .
10. 30 koli me bidonë me lëng me ngjyrë të bardhë 1 litërsh ZERO ZAGRES
11. 30 koli me mbishkrimin GREN AOLD në bidonë nje litërsh me leng me ngjyre te bardhë.
12. 30 koli me mbishkrimin NOPCKA .
13. 30 koli me mbishkrimin HBN kanoçe.
14. 25 çokollata me mbishkrimin XESTLE.
15. 30 koli me bidonë 1.5, litërsh me lëngje me mbishkrimin DOLCE
16. 6 blloqe fletë- dalje për mallra të ndryshëm