E Diel, 1 Nëntor 2026

Në tryezën e krizës është e gjithë Shqipëria Nga Besnik GjongecajNë një tryezë të organizuar nga presidenti i Republikës do takohen kryetari i opozitës dhe ai i qeverisë për të diskutuar mbi zgjidhjen e krizës politike në vend. Skematikisht kriza pol

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Në tryezën e krizës është e gjithë Shqipëria Nga Besnik Gjongecaj

Në një tryezë të organizuar nga presidenti i Republikës do takohen kryetari i opozitës dhe ai i qeverisë për të diskutuar mbi zgjidhjen e krizës politike në vend. Skematikisht kriza politike konturohet si mospjesmarrje e opozitës në Kuvend, gjë që ka sjellë në substancë mosfunksionimin e tij, prandaj edhe një humbje të balancave të pushteteve, të paktën në kuptimin strikt institucional. Akoma më shumë, vendi ka ulur shpejtësinë e zhvillimit, sepse objektivisht ka ndalur procesi i reformimit. Për opozitën kriza ka vetëm një zgjidhje: hapja e disa prej kutive të votimit. Qeveria është e paqartë në raport me zgjidhjen e krizës, dhe në fakt, në vend të një zgjidhje, nëpërmjet kryetares së Kuvendit i ofron opozitës kërcënimin se deputetët e saj do të humbin mandatin për shkak të mosfutjes në Kuvend. Pra, në fakt, kemi dy palë që pranojnë krizën si krizë politike, ndërsa vetëm njëra prej tyre, opozita, paraqet një variant për zgjidhjen e saj. Varianti i qeverisë është i palexueshëm dhe në rastin më të mirë dëshifrohet jo si një variant më vete, por si një reagim automatik ndaj variantit të opozitës, pra si një e kundërt, si një vendosje “kokëposhtë” e variantit të hapjes së kutive. I shoqëruar me kërcënimin, shantazhin, varianti i qeverisë përjashtohet si një variant zgjidhje sepse jo vetëm që nuk e sjell zgjidhjen, por e thellon më shumë krizën, përgatit një përplasje edhe më të madhe. Varianti i opozitës mbetet në fakt i vetmi variant për t’u marrë në konsideratë, i vetmi variant që mund të shndrrohet në një sistem referimi prej ku duhet të fillojë përafrimi i qëndrimeve, pra edhe gjetja e zgjidhjes. Ajo që na ndihmon është arsyetimi sa më realist mbi rrugën më të mundshme që afron qëndrimet e palëve, duke shpërfillur çdo tentativë për një përafrim mekanik, pra, duke mos hezituar për të përfshirë në këtë arsyetim sa më shumë prej faktorëve që në fakt kanë prodhuar krizën ekzistuese.

. . .

Propozimi i opozitës në thelb është ky: kutitë duhet të hapen sepse vetëm kështu do të mund të ndëshkohen ata që ndyen, ata që bënë pis zgjedhjet dhe ndëshkimi i tyre sjell mospërsëritjen e fajit apo të krimit elektoral nesër. Gjithkush mund të pyesë: kush do të ndëshkohet nëse krimi identifikohet? Opozita thotë që do të ndëshkohen numëruesit, pra ata që ndryshe numëruan dhe ndryshe firmosën procesverbalet. Por ka një pyetje shumë më esenciale se kjo: vërtet, numëruesit e pandërgjegjshshëm e shkaktuan këtë krizë në Shqipëri dhe akoma më shumë, këta “të gjorë” janë ata që kanë pothuajse 20 vjet që po e mbajnë Shqipërinë nën peshën e një krize sa të paanë aq edhe vulgare, të padenjë për një vend që pretendon të jetë demokratik!? Dhe pastaj vjen një pyetje edhe më esenciale: çfarë i shtyn numëruesit e partive të vjedhin vota? Votat nuk janë pare, votat nuk shkojnë në shtëpitë e tyre dhe nuk i ndihmojnë ata për të blerë diçka për familjet shpesh të varfëra, shpesh me një jetë të nxirë si shumë të tjerë në këtë vend. Pse iu duhen këto vota, pra, këtyre njerëzve me fat tragjik që luftojnë shpesh pandershmërisht për t’i numruar gabim ato? Qartësisht, para se t’u duhen numëruesve, votat e vjedhura i duhen partive që i kanë dërguar numëruesit te kutitë e votimit. Nëpërmjet vjedhjes së votave partitë marrin pushtetin e pamerituar. Por, po për shkak të partive, ekzaktësisht nën peshën e misionit poshtërues të marrjes së pushtetit të pamerituar, kutitë e votimit nuk mbeten më të tilla, pra si simbole të ekzistencës paqësore të shoqërisë, por shndrrohen në “barrikada” që duhen shembur dhe marrë. Ekzaktësisht në këtë moment numëruesit nisin të kenë edhe interesin e tyre, i cili, meqënëse pritet të realizohet në një kohë të dytë në krahasim me interesin e partive që ata përfaqësojnë, është i tërthortë, plotësohet vetëm pasi të jenë “marrë” kutitë. Të vendosur para “kutive-barrikada” numëruesit e komisioneve të të gjitha niveleve ”luftojnë për bukën e gojës”, sepse fitorja e një partie i mban në punë, ndërsa fitorja e tjetrës i heq nga puna dhe iu lë fëmijët rrugëve; sepse fitorja e një partie të jep tender dhe fitorja e tjetrës të lë pa para; sepse fitorja e një partie të jep shtëpi dhe tjetra të lë të pastrehë; sepse fitorja e një partie të bën shkencëtar dhe tjetra të lë injorant. Kjo ekzistencë primitiviste e demokracisë shqiptare është në fakt edhe muri pas të cilit politikanët shqiptarë fshehin ”armën” me të cilin ata rrëmbejnë votën. Një armë cubash të vërtetë, si ato që shumë politikanë shqiptarë i ”mbanin” në brez në fillim të shekullit të shkuar, me të cilën vetëm demokracia nuk vjen kurrë. Një armë cubash që edhe pas njëzet vitesh zyrtarisht pa diktaturë, e ka lënë Shqipërinë pa standarde, i ka ndarë qytetarët e këtij vendi në miq dhe në armiq, të detyruar edhe sot të bërtasin si haxhiqamilistët dikur: ”dum këtë babë”, ose, ”dum atë babën tjetër”. Këtu, pra, duhet të fillojë analiza e krizës në tavolinën e presidentit. Zgjedhjet, pavarësisht nga kodet që shkruhen, fshihen, rishkruhen, dhe përsëri fshihen për t’u rishkruar në një formë tjetër, do të aplikohen sipas standardeve vetëm kur të organizohen nga qytetarë të vërtetë, dhe qytetarët e vërtetë janë të tillë vetëm kur janë produkt jo vetëm i një arsimimi të vërtetë, por mbi të gjitha, kur janë produkt i një sistemi të vërtetë tërësor demokratik. Asnjë nuk mund të pretendojë për standarde zgjedhjesh që çfaqen mrekullisht një ditë, pa pretenduar për standarde demokracie në vend, të realizuara në një proces të gjatë rimëkëmbje të të gjithë shqiptarëve. Standardet e zgjedhjeve janë vërtet çështje teknike, por ato vijnë dhe shndrrohen në formë të ekzistencës politike të një vendi vetëm atëhere kur në këtë vend janë realizuar reforma të thella dhe është krijuar një sistem funksional demokratik, pra, vetëm atëhere kur janë realizuar reformat bazë të një ”shtresëzimi” që nuk është i dukshëm, i prekshëm si një fletë votimi kur numërohet, por që është përcaktues për çdo standard, për çdo numërim, për zbatimin e çdo kodi zgjedhor. Është ky “shtresëzim” reformash në arsim, drejtësi, financë, në fushën e marrëdhënieve midis institucioneve, midis pushteteve, që e shndrron kodin zgjedhor, cilido qoftë ai, nga një instrument abuzimi në një instrument të përcaktimit korrekt të votës, që e shndrron numëruesin e një qendre votimi në qytetar, i cili, në dallim nga i pari, te një votë nuk sheh fatin e tij si individ, por ekzistencën e krejt sistemit demokratik prej së cilës varet edhe fati i tij. Qartësisht, analiza për zgjidhjen e krizës në tavolinën e sotme duhet të fillojë me identifikimin korrekt dhe realist të saj. Kriza e sotme në Shqipëri nuk është vetëm një krizë politike, nuk është një krizë që vjen thjesht nga një numërim i gabuar, as nga një kod i formuluar keq, as nga një politikan që ka qëlluar të jetë më i keq se një tjetër. Ajo është një krizë shumë më e gjerë. Kriza e sotme është një krizë edhe institucionale, edhe shoqërore, edhe morale, edhe ekonomike. Ajo është një krizë që ka përfshirë krejt vendin, në të gjithë gjeografinë e tij. Sot, në kutitë e votimit shkojnë numëruesit në vend të qytetarëve, dhe ky është thelbi i krizës, ku “fuzionohen” të gjitha krizat e tjera pjesore. Ai që shkon te kutitë për të numëruar votat e di se fati i tij varet nga numërimi. Ai e di që nëse partia e tij vjen në pushtet, ai do të ketë privilegje kundrejt të tjerëve, dhe do të ketë privilegje sepse kreu i partisë së tij do të ketë çdo pushtet në duart e tij, dhe një pjesë të tij do ta përdorë për shpërblime të paligjshme. Kjo gjë mund të ndodhë vetëm kur të shkelet me dy këmbët parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, vetëm kur pushteti të përqëndrohet dhe jo të ndahet, duke eleminuar pjesmarrjen e qytetarëve në zhvillimin e vendit. Në të kundërtën, pra nëse partia e tij nuk fiton, ky numërues do të rrënohet në katër vitet e ardhshme. Përfundimisht, historia e pothuajse njëzet viteve të fundit në Shqipëri ka treguar që politikanët nuk i duan qytetarët, por duan numëruesit, format robotike që vetëm ngjajnë, por nuk bëhen kurrë qytetarë. Ata kanë bërë çmos në këto vite të një tranzicioni të shëmtuar që shoqëria të jetë sa më pak e reformuar dhe të ketë sa më pak qytetarë, por sa më shumë numërues. Fatkeqësisht, kthetrat e politikanëve janë zgjatur deri te shkollat, veçanërisht te universitetet, për t’i shndrruar ato nga institucione demokratike në qendra të mjeruara didaktike, të cilat vetëm qytetarë nuk prodhojnë. Në një farë kuptimi, duke ndërhyrë brutalisht edhe te arsimi, politikanët e këtij vendi kanë synuar, me dashje apo pa dashje, të ndërhyjnë deri te ADN-ja e sistemit tonë shoqëror, me idenë e riprodhimit të një sistemi të pangjashëm me atë demokratik, duke shkatërruar kështu jo vetëm të sotmen, por të ardhmen veçanërisht. Politikanët tanë, veçanërisht kur bëhen qeveritarë si të sotmit, kanë bërë ekzaktësisht atë që nuk duhej bërë në asnjë mënyrë: kanë kërkuar që qytetarët e këtij vendi të “reflektonin” fytyrat e politikanëve dhe jo anasjelltas. Prandaj, kriza nuk është më pjesore, por komplekse, nuk është e sipërfaqshme, por thellësisht dhe parasëgjithash morale, çka ka bërë që edhe mjetet e zgjidhjes së saj të jenë të vështira për t’u gjetur dhe zgjidhja të jetë absolutisht vetëm afatgjatë.

. . .

Tryeza e presidentit është shumë e vogël për të vendosur krejt Shqipërinë në të, krejt krizën që e ka përfshirë këtë vend. Ashtu sikundër institucionet e këtij vendi, në gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhen, nuk kanë as hapësirë dhe as mjete për të zgjidhur këtë krizë komplekse dhe të paanë. Kriza nuk do të zgjidhet sot, dhe asnjë të shtunë tjetër, për arsyen më të thjeshtë të botës: sepse politikanët e kësaj tavoline ose nuk i kuptojnë, ose, në rastin më të keq, bëjnë sikur nuk i kuptojnë rrënjët e vërteta të saj. Akoma më shumë: palët e afruara për zgjidhje janë shkaktarë të krizës, kush më shumë dhe kush më pak, çka i pengon ata të bëhen kalorësit e zgjidhjes së saj. Pikërisht për të gjitha këto, kriza do të fillojë të zgjerohet me shpejtësi. Si një kafshë e madhe prehistorike do të fillojë të zbulojë gradualisht pjesët muskuloze të shpatullave të saj, gjymtyrët stërmëdha, krejt egërsinë e paanë që mund të ketë një krizë e pakontrolluar, shkulur nga zinxhirët me të cilat mbahej e lidhur deri tani. Ata që sot po mundohen “gjasme” ta zgjidhin këtë krizë në tavolinë, me siguri që nesër do të jenë edhe njerëzit më pak popullorë të këtij vendi, më pak të besueshëm, më periferikët. Të tjerë duhet të fillojnë të përgatiten për të marrë fatet e vendit në dorë dhe të parët duhet të jenë intelektualët, ata që kanë heshtur deri më sot dhe pranuar çdo poshtërim nga çdo qeverisje e rradhës. Ata që, gjithsesi, janë mësuar të jetojnë me të vërtetën dhe për të vërtetën. Është koha, pra, që tavolina e sotme të zëvendësohet me forume intelektualësh, të çliruar nga pesha e këtij regjimi dhe të gatshëm t’i drejtojnë shqiptarët në rrugën e largimit përfundimtar të Shqipërisë nga kjo krizë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›