Incidenti në Kamëz, gjakoset trajneri Çekiçi
Ka përfunduar në mënyrën më të keqe kryesfida e javës së 18-të të Kategorisë së Parë, luajtur mes Kamzës dhe Pogradecit. Mesfushori i Kamzës Saimir Patushi dhe presidenti i këtij klubi Naim Qarri kanë goditur trajnerin e Pogradecit, Ylli çekiçi, në fund të lojës, të tensionuar nga moszhbllokimi i rezultatit të bardhë 0-0. Patushi kishte debatuar ashpër edhe më parë, gjatë lojës, me trajnerin pogradecar, ndërkohë që në fund të lojës ai ka shfryrë me grushta, duke e goditur. Kamzalinjtë ishin përgatitur për ta fituar patjetër këtë ndeshje, jo vetëm sepse u duheshin 3 pikët, për t’u ngjitur më lart në klasifikim, por kanë pasur brenda vetes edhe njëlloj hakmarrjeje, të trashëguar nga sfida e fazës së parë, e luajtur në Pogradec. Asokohe, mesfushorin e Kamzës, brazilianin Toni De Pinio, e pati goditur pa shkak doktori i Pogradecit, kësisoji, tensioni ka qenë mjaft i madh edhe në këtë ndeshje. është dashur ndëryrja e forcave të rendit që situata të mos degjeneronte më tej, duke marrë nën kontroll situatën.