Peqin, deputeti kërcënon arbitrin dhe një futbollist
Leonard Karaj
Deputeti i PD-së për Peqinin, Z.Dash Sula ka zbritur në fushën e lojës dhe ka kërcënuar arbitrin e ndeshjes Sokol Jareci dhe mbrojtësin e Tiranës, Andi Lila.Pas daljes me karton të kuq të sulmuesit peqinas Mustafaraj, deputeti dhe njëkohësisht një nga sponsorët kryesorë të Shkumbinit ka zbritur nga tribuna VIP për të replikuar ashpër me gjyqtarin kryesor të takimit Sokol Jareci. Gjithashtu, deputeti Sula ka replikuar ashpër edhe me futbollistin e Tiranës, Andi Lila. Loja është ndërprerë për disa minuta dhe është dashur ndërhyrja e forcave të rendit për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës. Një grup policësh prej 5-6 vetash mbanin deputetin Sula duke mos e lejuar atë që të futej në fushë ndërsa disa pjesëtarë të stafit dhe tifozë kanë kaluar rrethimin duke iu afruar gjyqtarit Jareci. Situata ka qenë mjaft e tensionuar dhe vetëm fitorja e vendasve ka bërë të mundur qetësimin në një farë mënyre të tifozëve të kësaj skuadre.
Shkumbini-Tirana
Përsa i përket takimit Shkumbini fitoi falë një goli spektakolar të shënuar nga Isidor Seksenit në pjesën e dytë të lojës. Pas një pjese të parë pa shumë raste për shënim, në fraksionin e dytë ka mjaftuar një gjuajtje prej 25 metrash e mbrojtësit që të shtangte edhe portierin e Tiranës, Blendi Nallbani. Për t’u theksuar ka qenë fakti se gjatë pjesës së dytë vendasit luajtën me dhjetë lojtarë. Arbitri i takimit nxorri me karton të kuq sulmuesin peqinas Erjon Mustafaj. Ky i fundit goditi me bërryl mbrojtësin e Tiranës Andi Lila, në një dyluftim mes tyre. Për Jarecin ka qenë një goditje e qëllimshme ndaj edhe nxorri direkt kartonin e kuq.
Teuta-Gramozi
Ndërkohë në takimin tjetër Teuta mundi Gramozin. Kështu Ylli Shehu e nis me fitore debutimin e tij historik si trajner i një skuadre të Kategorisë Superiore. Trajneri i ri i Teutës (pasoi Mirel Josën në stol) fitoi 2-0 ndaj kolonjarëve të Agim Canajt, duke qenë ndër tre trajnerët nga 13 të tillë si zëvendësues që e nis me fitore. Më parë me fitore e kishin nisur Përparim Daiu i Shkumbinit kundër Dinamos (4-0, java 16) dhe Nevil Dede i Tiranës kundër Teutës në Durrës (0-1, java 19). Ndryshe nga Ylli Shehu, me humbje e nisi Mirel Josa në ndeshjen e parë të tij si trajner i Skënderbeut për këtë sezon.
Bizhdili, 100 euro lojtarëve për “Shën Valentin”
Presidenti i Besës Nexhat Bizhdili u ka shpërndarë nga 100 euro lojtarëve të tij për të festuar ditën e “Shën Valentinit”. Të gjithë lojtarët e 18-es kanë përfituar këtë premio surprizë, kurse pjesa tjetër nga 50 euro. Ndërkohë Bizhdili ka pohuar se do të shpërblejë skuadrën e tij me një premio të majme edhe nëse do të arrihet një fitore në ndeshjen e sotme ndaj Dinamos në kryeqytet. Përballja konsiderohet si mjaft e rëndësishme për faktin se një fitore e bluve të kryeqytetit do të thoshte një kapitullim total i ekipeve që luftojnë për titullin kampion. Në të kundërt një fitore e Besës do të ndizte edhe më shumë luftën për kreun e renditjes.