Në udhëkryqin e Evropës
Kur në qershorin e vitit 2006, Evropa bëri hapin e parë të integrimit të Shqipërisë në organizatën më të madhe evropiane, politike e ekonomike, pati një lloj ndjeshmërie dhe pritshmërie shumë të shpejtë nga klasa politike në vend, për çështje të rëndësishme, dhe një ndër më kryesoret, ajo e liberalizimit të vizave. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE, në thelb ishte një marrëdhënie, sa politike, aq më tepër ekonomike, ku konkurrenca, standardet e BE dhe zona e tregtisë së lirë ishin pikat kryesore të dukshme. Kur kanë kaluar rreth 43 muaj nga hedhja e firmës mbi atë dokument tepër të rëndësishëm, Shqipëria e gjen veten në një udhëkryq, tepër i vështirë për t’u kaluar, por jo i pakalueshëm. Vullneti, është tërësisht politik. Por përballemi me ekstremin tjetër, atë të ‘bubërrimit’ në terrenin politik shqiptar, të disa eksponentëve politik, që më shumë kanë vullnet të merren me cic micet e ditës, sesa të kapërcejnë udhëkryqin për të ecur të sigurt drejt BE. Sot në faqet e Gazeta Shqiptare, do të lexoni një informacion ku Bashkimi Evropian ka vendosur të nisë bisedimet me Kosovën, shtetin më të ri në Ballkan, për çështjen e liberalizimit të vizave. Kosova, e krijuar si shtet më vete, vetëm në 17 shkurt të vitit 2008, përfundimisht ka bindur Evropën të nisë atë rrugëtim aq të vështirë, që ne shqiptarët e kemi nisur prej kohësh, por që nuk po mbërrijmë dot aty ku duhet. Lajm i mirë ky për Kosovën, ashtu sikurse është lajm i keq për Shqipërinë marrëdhënia jonë e re me Këshillin e Evropës. Shqipëria nuk do të ketë të drejtën e votës në këtë institucion, sepse kështu do politika shqiptare, dhe jo qytetarët e saj. Afërmendsh këta politikanë në krye të karriges atje lart i zgjedhim po ne me votë. Por, është po kaq cinike të mendojmë se këta që kemi zgjedhur, thjesht po na nxijnë faqen ca më shumë sesa ç’e kemi pasur të zezë. Eshtë e patolerueshme për vendin tonë, tani që kemi 20 vjet demokraci, të diskutojmë çështjen e votës në këtë organizëm. Jo se ca deputetë në Asamblenë Parlamentare do të turbullonin KiE. Por sepse, kur nuk rrimë dot urtë, ne bëjmë zhurmë vetëm për keq. Dhe të sillemi keq, do të thotë t’i heqim vetes të drejtën për t’u ndjerë të respektuar dhe të barabartë. Se, që të jemi vendimmarrës, apo opiniondhënës, këtë nuk na e marrin dot në konsideratë. Nuk është fare e rëndësishme në këtë moment që të diskutojmë nëse fajin e ka Berisha që nuk hap kutitë, apo Rama që nuk futet në parlament. Të dyja palët i kanë strategjitë e tyre politike të qarta brenda përbrenda vendit. Ajo që është e rëndësishme për t’u shënuar është imazhi i vendit tonë në sytë e Evropës: më e pakta, nuk na marrin shumë seriozisht, por më e madhja është se na penalizojnë edhe si komb. Për një vend anëtar të NATO-s si Shqipëria, prezantimi që ne bëjmë në sytë e Evropës, kur tashmë dihet se vetëm dy vende nuk përfituan liberalizimin e vizave (ne dhe Bosnje-Hercegovina), është ndër më negativët. Evropianët kanë të drejtë të ulërasin, si mësuesi një nxënësi: pa stabilizim, nuk mund të keni asociim! Eshtë e kotë t’u rikujtojmë politikanëve tanë axhendën e Selanikut të vitit 2002, kur Kris Patten, ish komisioner i zgjerimit në atë kohë deklaronte se BE duhet të importojë stabilitet në Ballkan. Sepse atëherë evropianët i besuan politikanëve të përgjegjshëm: askush nuk e mendonte se një vend si i yni, anëtar i NATO-s, do të prodhonte kaq shumë destabilitet. Nga i cili, nuk humbasin aspak politikanët, por shqiptarët, ata që ende sot rropaten dyerve të ambasadave për një vizë dhe që vetëm kokurrencën e lirë e të ndershme, brenda vendit, por edhe me “zonën e tregtisë së lirë të BE” nuk e kanë përfituar dot. Në nëntorin e vitit të kaluar, pas një takimi me zv.kryeministrin Ilir Meta, komisionari aktual për zgjerimin Olli Rehn tha: vendimi për liberalizimin e vizave do të merret verën e vitit që vjen (këtë verë), por “lajmet e mira do të vijnë nëse janë plotësuar kushtet”. Po a është një lajm i mirë heqja e votës për Shqipërinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës? Zotërinj evropianë! Shqipëria ndodhet në udhëkryq, jo për faj të shqiptarëve, por për fajin e politikës. Eshtë e vërtetë që ju nuk ju intereson se i kujt është faji brenda nesh, por të paktën, kur e shihni fajin ulur këmbëkryq mes nesh, të paktën, mos i jepni dorën.