Në ujrat e Drinit të Zi mbytet 23 vjeçari

Një i ri shqiptar nga fshati Pllasnicë të komunës së Kërçovës sot është mbytur dhe ka ndërruar në ujrat e lumit të Drinit të Zi në Strugë.
23 vjeçari me inicialet N.S humbi jetën rreth orës 10.00 në lumin Drin, vetëm një 50 metra nga “Ura e poezisë”.
Ngjarja ka ndodhur para syve të disa qytetarëve strugan, të cilët kanë vërejtur se tashmë i ndjeri N.S. ka hyrë në ujë dhe menjëherë është vërejtur se ballafaqohet me probleme të natyrës së mbytjes. Menjëherë në ndihmë i kanë dalë disa persona që kanë qënë aty afër, por për fat të keq nuk kanë arritur ta shpëtojnë nga vdekja, transmeton INA.
Menjëherë janë informuar Urgjenca-ndihma e shpejtë dhe organet e policisë të cilët shumë shpejt kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Ekipi mjekësor me në krye dr. Gjorgji Trpo, vetëm kanë konstatuar vdekjen, ndërsa më pas në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe gjykatësi hetues nga Gjykata Themelore në Strugë, Nuredin Lloga, së bashku me përfaqsuesin e Prokurorisë Themelore dhe ekipi i krim teknikës së SPB-së.
Shkaqet e vdekjes së të riut N.S (23) i cili u mbyt në ujërat e Drinit të Zi nuk dihen, ndaj me urdhër të gjykatësit hetues, Nuredin Lloga, trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit të qytetit për obdukcion.
Së shpejti në vendin e ngjarjes kanë ardhur edhe anëtarët e familjes së të ndjerit, të cilët nuk kanë mundur të pajtihen me këtë tragjedi, ndaj mjekët u kanë dalë në ndihmë edhe atyre…
Është ky rasti i parë i mbytjes në këtë sezon në Strugë dhe ngjarja ka ndodhur jashtë pjesës ku veprojnë shpëtimtarët e Kryqit të Kuq, të angazhuar nga koncesionerët e plazheve të Strugës. /Indeksonline/