Pronarët kërkojnë respektimin e ligjit për transportin e udhëtarëve

Shoqata Transportuese e Udhëtarëve në Drenas, ka protestuar sot para objektit të Kuvendit Komunal në Drenas, me qëllim implementimin e ligjit për transportin rrugor dhe ndalimin e menjëhershëm të kombibusëve të cilët po i pengojnë ata në punë.
“Pronarët e firmave transportuese në këtë komunë, sot duke filluar që ka ora 07:00 e deri pas orës 11:00, kanë protestuar para komunës, ndërsa më pas protesta ka vazhduar edhe në stacionin e autobusëve në Drenas”, ka thënë Rasim Shala, kryetar i Shoqatës Transportuese të Udhëtarëve në Drenas.
Ai ka kërkuar nga Komuna e Drenasit që sa më parë të respektojë ligjin për transportin rrugor- të udhëtarëve i cili ka hyrë në fuqi.
Shala ka paralajmëruar që nuk do të ketë transport të rregullt të udhëtarëve derisa të fillojë zbatimi i ligjit nga autoritetet lokale.
Në mbrojtje të protestës kanë dalë edhe disa udhëtarë, ku sipas tyre komuna duhet urgjentisht të rregullojë fushën e transportit të udhëtarëve.
Studenti Fidan Gashi, është njëri prej shumë udhëtarëve nga Drenasi që sot nuk ka pasur mundësi të udhëtojë me autobusë për Prishtinë, pasi që linjat kanë qenë të ndërprera.
“Unë si qytetar i kësaj komune, kërkoj që të ketë rregull në transportin e udhëtarëve dhe komuna duhet të përmirësojë çështjen e transportit”, ka thënë Gashi.
Ndërsa zyrtarët e Komunës së Drenasit kanë premtuar që shumë shpejt do t’a bëjnë rregullimin e transportit me anë të një rregulloreje e cila pritë të të miratohet në Kuvendin Komunal.
Hyrije Xhemajlaj - Thaçi, Drejtoreshe e Inspekcionit në Komunën e Drenasit, ka deklaruar për Indeksonline se, është në dijeni për brengat dhe shqetësimet që i kanë paraqitur pronarët e transportit të udhëtarëve dhe thotë se, si komunë janë duke e ndërtuar një rregullore të re në bazë të ligjit për transportin rrugor, i cili ka hyrë në fuqi para një muaj.
“Ne jemi duke e përgatitur rregulloren e re në harmoni me ligjin që ka hyrë në fuqi dhe shpresoj që qysh në seancën e parë të Kuvendit Komunal do të miratohet kjo rregullore dhe më nuk do të ketë licenca për kombibus”, ka deklaruar drejtoresha e inspekcionit.
Me rregulloren e re e cila pritet të miratohet nga deputetët komunal, do të ndalohet qarkullimi për të gjithë kombibusët të cilët deri tani kanë pasur licencë veprimi. Sipas zyrtarëve të komunës, aktualisht në Drenas veprojnë 42 kombibus të licencuar.
Nëse edhe pas rregullores së re nuk ndalohet qarkullimi i kombibusëve, atëherë këtu do të angazhohen edhe njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, për konfiskimin e të gjitha automjeteve që bartin udhëtarë pa leje./Indeksonline/