Bashkimi kombëtar, sa më shpejt aq më mirë
Kosova tashmë është e bashkuar me Shqipërinë, ska më, kjo është punë e kryer, të gjithë e dimë, po shihet gjithkund. Është ky një mendim që tash sa kohë e dëgjojmë në këtë apo në ndonjë variant tjetër, por me përmbajtje pak a shumë të njëjtë. Më pas ky konstatim edhe komentohet e analizohet në mënyra të ndryshme e nga njerëz të ndryshëm, gjithmonë me nota pozitive. Kështu apo ngjashëm dhe jo pa ngazëllim e perceptojnë realitetin e ri Kosovë – Shqipëri jo pak qytetarë që shkojnë për pushime atje, jo pak intelektualë që botojnë libra në Tiranë apo Prishtinë, tregtar e ndërmarrës që bëjnë biznes në këtë relacion e për çudi nuk mbesin mbrapa as edhe pushtetarët e politikanët.
Të gjithë këtë bile mund të ketë edhe mospajtime, varësishtë nga preferencat politike, lidhur me atë se kush e bëri bashkimin kombëtar që ekzistuaka, mund të ketë gjithashtu edhe mospajtime lidhur me atë se kur u bë ky bashkim. Bashkimi, thonë disa, është bërë atëherë kur është shpallur pavarësia e Kosovës, të tjerët thonë se kjo është bërë atëherë kur shkrepi pushka e parë e UÇK-së apo edhe më konkretisht kur ra për liri Adem Jashari. Disa të tjerë vazhdojnë tutje duke mos u pajtuar me këto, por duke thënë se bashkimi faktikisht u bë vetëm tani me ndërtimin dhe hapjen e autostradës Durrës - Kukës. Të gjitha këto në një ose mënyrë tjetër janë të vërteta në kuptimin se me këto ngjarje janë bërë hapa gjigant përpara në afrimin e Tiranës me Prishtinën. Për rrjedhojë merre si ta marrësh sot Tirana dhe Prishtina janë më afër se kurrë pos tjerash falë edhe këtyre ngjarjeve. Ato dhe gjithsesi edhe zhvillimi teknik e teknologjik kanë bërë që shqiptarët në të dy anët e kufirit të kenë mundësi shumë më të mëdha se dikur, posacerisht komunikimi, bashkëpunimi e afrimi ndërmjet vete. Po ama sot, prap merre si ta marrësh, përkundër të gjitha këtyre, Kosova dhe Shqipëria nuk janë të bashkuara, ato janë të ndara dhe se qëndrim zyrtarë lidhur me këtë çështje në Tiranë e nganjëherë edhe në Prishtinë, është se ato do të bashkohen në rrugëtimin e tyre për në Evropë, thjeshtë do të bashkohen në Bruksel. Pra Kosova do të bashkohet me Shqipërinë në Bruksel, ashtu sikundër do të bashkohet edhe me Maqedoninë me Malin e Zi dhe me të tjerët. Prandaj thënë ndryshe ne jemi të ndarë edhe përkundër luftës së UÇK-së, edhe përkundër krijimit të shtetit të Kosovës, edhe përkundër ndërtimit të autostradës dhe thjeshtë edhe përkundër faktit se Evropa këto ditë na bashkoj duke na qortuar të gjithëve së bashku këndej e andej kufirit me mosliberalizimin e vizave.
Në vlerësimet e raportit Kosovë - Shqipëri duket se vazhdojmë të mos jemi sa duhet realist, sepse të shpeshtën nisemi nga krahasimi me gjendjen e dikurshme të këtij raporti që ishte unik në botë sa i përket ndarjes dhe moskomunikimit. Për rrjedhojë gjendja aktuale na del shumë e mirë dhe atë e perceptojmë me ngazëllim. Kështu sipas kësaj logjike të krijuar jo vetëm kohëve të fundit, pra asaj të të krahasuarit me të kaluarën, lajmi i paradokohshëm se disa pemëshitës nga veriu i Shqipërisë po sjellin me kamiona bostan për t’i shitur në Kosovë thjeshtë ishte lajm që u dha në disa TV e gazeta. Sigurisht se tanimë nuk është kurfarë lajmi fakti se pazaret e qyteteve të Kosovës janë të mbushura me fruta e perime nga Maqedonia dhe gjithashtu nuk është lajm se nga Serbia sillen shumë mallëra në Kosovë dhe dyqanet tona janë të mbushura me to. Gjithnjë duke e krahasuar gjendjen e tashme vetëm me të kaluarën, vetëm me atë se sa keq ka qenë dikur, vazhdojmë sot e kësaj dite të vijmë në përfundime me doza të larta ngazëllimi. Për të qenë ndryshe mbase do të duhej që situatën në fjalë, pra raportin Kosovë – Shqipëri, ta krahasojmë edhe me atë se si mund të jetë edhe më ndryshe apo edhe me atë se si do të duhej të ishte. Por para se të dalim tek ky parakusht, duhet të pajtohemi realisht me gjendjen e thjeshtë dhe ta kuptojmë se Shqipëria dhe Kosova sot janë shtete të ndara, nuk janë të bashkuara. A duhet të bashkohen, si duhet të bashkohen, kush mund ta përkrah këtë projekt e kush jo, cilat mund të jenë favoret e cilat pengesa, a ëshë koha tani për këtë apo jo? Këtyre pyetjeve mund t’ju përgjigjemi vetëm kur e kuptojnë edhe andej e posaçërisht ne këndej kufirit, të gjithë edhe pushuesit këto ditë në Shqipëri edhe intelektualët edhe biznismenët edhe pushtetarët se Kosova dhe Shqipëria janë të ndara.
...