S’ndalet më. Socialistët kërkojnë shporrjen e atij që i ka infektuar me gripin e humbjes
Ish-kreu i parlamentit Servet Pëllumbi ka kërkuar zyrtarisht që Edi Rama të dorëhiqet, e pas tij edhe Gramoz Ruçi, si kontributori kryesor në dështimin e socialistëve. Në të njëjtën ditë, degët socialiste të Shkodrës dhe Lushnjes kërkojnë çlirimin e socialistëve nga një kryetar që ka sjellë veç gripin e humbjes tek e majta
Ish-kreu i Parlamentit, Servet Pëllumbi për herë të parë analizon zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri. Pëllumbi theksoi se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen, me të drejtë rikandidimi. Pëllumbi theksoi se për humbjen e së majtës në zgjedhje, nuk është fajtor vetëm Rama, por edhe Gramoz Ruçi si kryetar i Asamblesë e pastaj vijnë të gjithë me radhë. Ish kreu i Kuvendit tha se e majta nuk arriti të bashkohet në këto zgjedhje. Duke folur për dy kandidaturat që tashmë kanë shpallur ambiciet e tyre për të qenë kryetarë të selisë rozë, Pëllumbi tha se sipas tij shprehja e kandidaturave është një hap i nxituar pasi në fillim duhet certifikimi përfundimtar dhe kërkesa për të bërë analizat pastaj kandidaturat. Ndërkaq, nga ana tjetër, Servet Pëllumbi komenton si të pabesueshëm koalicionin Berisha-Meta.
Kryetari i degës së Lushnjës Leonard Gogu: Edi Rama të japë dorëheqjen, të mos rikandidojë/Në Partinë Socialiste, zërat për largimin e Edi Ramës nga drejtimi i saj, po intensifikohen dita – ditës edhe në bazë. Pas Shkodrës, edhe dega e Lushnjës e bën përgjegjës Ramën për humbjen e socialistëve në këto zgjedhje, si dhe për përçarjen e të majtës. Kryetari i degës së Lushnjës Leonard Gogu shprehet se Rama duhet të japë dorëheqjen në drejtim të partisë pa të drejtën e rikandidimi. Me qëllim që ta lerë partinë socialiste të marrë frymë dhe të majtën që të riorganizohet. Gogu tha se, “Fakti që Edi Rama përçau të majtën dhe bëri që Partia Socialiste mos të vijë në pushtet në zgjedhjet e 28 qershorit. Flet shumë dhe nuk është ndonjë vështirësi apo çudi e madhe që ai të japi dorëheqje, kjo do t’i japë vlera morale, në qoftë se jep dorëheqjen dhe mos rikandidojë më. Kryetari i partisë duhet ta lërë partinë më qëllim që ajo të riorganizohet”.
Kryesocialisti i Lushnjës, qytet ku e majta mori dy deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit, nuk e fsheh zhgënjimin e kësaj degë në lidhje në drejtimin e partisë nga Rama. Duke u nisur nga kjo ai e sheh si të nxiruar mbështetjen e tij, dhënë kryetarit në vitin 2005, pasi sipas tij Rama gaboi duke shkelur parimin bazë, duke e personalizuar partinë dhe dështoi në përmbushi premtimet. Gugo shprehet se Rama bëri gabimin më të madh, duke shkelur parimet bazë të partisë, duke ndryshuar parimin me një anëtarë një votë. “Rama duhet të largohet dhe në Partinë Socialiste duhet të bëhen futje të reja, prurje të reja që kanë vërtetë vlera dhe që janë personat e duhur për liderë”, tha ai. Gogu kritikon dhe qëndrimin e lidershipit ndaj procesit zgjedhor duke sqaruar se votat e numëruar dhe procesverbalet, janë firmosur edhe nga komisionerët e partisë socialiste. Duke i parë si të domosdoshme zgjedhjet e reja në Partinë socialiste, kreu i PS-së në Lushnjë, thotë se në Partinë Socialiste ka mjaft emra të tjerë të cilët mund ta drejtojnë atë në mënyrë dinjitoze, duke njohur parimin e votës dhe punuar për të mirën e saj dhe të gjithë të majtës.
“Partia Socialiste do patjetër element të rinj, të cilët mund ta drejtojnë dhe të formojnë atë, Partia socialiste ka shumë vlera, ka shumë elementë të mirë të cilët të mund ta drejtojnë atë në mënyrë dinjitoze”, shprehet kreu i Partisë Socialiste në Lushnjë.
Klasifikimi i gjërave në bazë të Partisë Socialiste për largimin e Ramës vjen pas shumë qëndrimesh e njëjta të mbajtura nga disa anëtarë të kryesisë që i kërkojnë atij të pranojnë humbjen dhe të respektojnë statusin i cili shprehet qartë mbasi kryetari duhet të largohet nëse humbet zgjidhjet e përgjithshme.
...