PD: Rama, me rrugaçëri dhe pafytyrësi politike po sulmon KQZ-në, për të fshehur humbjen

Partia Demokratike deklaroi dje se sulmet e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë si tendencë për të fshehur humbjen e tij në këto zgjedhje. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, u shpreh dje gjatë një konference për shtyp, se “në lidhje me sulmet e shëmtuara të Ramës ndaj KQZ, PD deklaron se të gjitha procesverbalet dhe rezultatet e rretheve të Beratit, Shkodrës dhe Tiranës kanë firmat e të gjithë komisionerëve të PS-së të të gjitha niveleve, pa asnjë shënim dhe vërejtje të veçantë”. Lidhur me sulmet e kreut të PS-së, Edi Rama, ndaj Kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, zëdhënësja e selisë blu tha se “ këto sulme janë rrugaçëri politike, pasi ka qenë vetë Rama, i cili ndërmjet tre kandidaturave të PD-së, ka rënë dakord për Arben Ristanin”.
Duke iu referuar mandatit të 9-të në qarkun e Fierit, që Partia Socialiste ia mori PDI-së, zëdhënësja e Partisë Demokratike deklaroi se “numërimi i votave në dy qendrat e Libofshës është bërë në mungesë të komisionerëve dhe vëzhguesve të PD e PDI. Numërimi është bërë vetëm nga komisioneri socialist, i njohur si hajduti, që për të vjedhur shfrytëzoi errësirën dhe që fiku kamerat e filmimit të votave. Vendimi i KQZ për t’ja kaluar mandatin e PDI Partisë Socialiste kundërshtohet nga kjo parti dhe mbështetet dhe do të mbështetet nga Partia Demokratike. Le të shpresojmë dhe besojmë se Kolegji Zgjedhor mbi bazën e një gjykimi objektiv e të paanshëm do të marrë vendimet e drejta ligjore”, tha ajo.
Zëdhënësja e Partisë Demokratike shtoi më tej se Edi Rama duhet të heqë dorë nga presionet, kërcënimet dhe shpifjet ndaj institucioneve vendimmarrëse për procesin zgjedhor.
Sikundër u shpreh ajo, “i kujtojmë Edi Ramës ndonëse ai është sot në krye të PS se dosjet e korrupsionit të tij të hartuara nga ministrat e PS dhe që janë sot eksponent kryesor të kësaj Partie gjenden në Prokurori”.
Ndërkaq, më herët Edi Rama, nga selia rozë, vijoi ritualin e përditshëm të sulmeve ndaj institucioneve të vlerësimit të zgjedhjeve, në prag të dorëheqjes së tij nga PS.
I tromaksur tërësisht nga kërcënimet e bazës, të cilët i kërkojnë me ngulm largimin pa kushte nga drejtimi i partisë, Edi Rama, mundohet dita-ditës që të luajë topin në gjysmëfushën e tij, duke mbrojtur përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve, nëpërmjet sulmeve ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, komisionerëve të PS dhe ambicieve të PD dhe LSI, për formimin e qeverisë së ardhshme.
Kësisoj, Rama akuzoi KQZ-në se vendimet e saj janë të diktuara politikisht, ndërkohë që më e favorizuara nga këto vendime ka qenë Partia Socialiste, sepse me metoda antiligjore arriti që nga këto zgjedhje të marrë një mandat të pamerituar, atë të Fierit. Por, edhe pas kolapsit që tentoi të shkaktojë, menjëherë pas zgjedhjeve, duke ushtruar dhunë verbale dhe presion të egër ndaj institucioneve të pavarura të vlerësimit të zgjedhjeve, Edi Rama nuk ia doli të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve, veç grabitjes së një mandati të pamerituar, për të cilin PD dhe PDI, kanë ngritur kërkesat ankimuese tashmë, të cilat i takojnë kolegjit zgjedhor për shqyrtim.
“Sot KQZ e Sali Bershës vazhdoi të manifestojë forcën e verbër të një pushteti që të grabisë sa të mundet e sa të mundet, sepse me sa duket ca ka grabitur deri këtu nuk i mjafton”, tha Rama, duke artikuluar absurditete nga më të ndryshmet, vetëm e vetëm që të shmangë përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve edhe atëherë kur baza e pret të zbresë menjëherë.
...