Në vend të gjobës, para në dorë tatimorëve
Tiranë – Ndodh që dy qytetarë të bëjnë të njëjtën shkelje ligjore. Por jo të dy ndëshkohen njësoj, apo njëri ndëshkohet dhe tjetri jo. Edhe pse qeveria nxorri ligjin për përdorimin e kasave fiskale në mënyrë që taksat të paguhen në bazë të xhiros vjetore, kjo duket qartë që nuk po zbatohet në dyqanet e Tiranës. Pjesa dërrmuese e dyqaneve nuk të japin faturën e blerjes së mallit. Drejtoria e Tatimeve paralajmëron marrjen e masave të forta dhe vendosjen e gjobave. Por nëse paguan nën dorë, mund ti shpëtosh gjobës.
Tregtari E.B, i cili zotëron një biznes të vogël në qendër të Tiranës, thotë se është penalizuar për mospërdorimin e kasës, ndërsa fqinji i tij jo, pasi dha rryshfet. Ai u gjobit me 1 milion lekë, ndërkohë që një tjetër subjekt fare pranë tij nuk u gjobit pasi i kish dhënë rryshfet personave të autorizuar për kontroll.
-A ishit në dijeni që në rast se ju nuk u jepnit faturat klientëve mund të gjobiteshit?
-Po, isha në dijeni. Por nëqoftëse unë pres fatura për çdo person atëherë unë mund të kaloj në biznes të madh, pasi xhiro ditore nuk është e njëjtë për çdo ditë. Ka raste që unë mund të bëj edhe 50 mijë lek të vjetra në ditë, e çfarë fitimi do të siguroj unë këtu?
-A e paguat gjobën e vënë nga policia tatimore?
-Jo nuk e kam paguar akoma, pasi nuk kam me se ta paguaj. Mua më duhet një vit që ti fitoj prapë ato para. Dhe, mbi të gjitha, gjobat dhe kontrollet janë selektive. Disa dyqaneve që janë prane meje, dhe që unë e di që nuk e kanë kasën fiskale, nuk iu është vënë gjobë, pasi nga sa kam mësuar ata u kanë dhënë para në dorë inspektorëve të tatimeve.
Korruptimi i nëpunësve të shtetit vazhdon të jetë një mënyrë efikase për të shmangur zbatimin e ligjit. Të dhënat më të fundit të një studimi të INSTAT tregonin se një në tre shqiptarë paguan rryshfet për të përfituar një shërbim, por edhe për t’iu shmangur zbatimit të ligjit.
Joana Allushi/IDEA
Shkrime të tjera me interes: