E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vend të lutjes së një murgu

TIRANE- Shprehja religjioze “Fali Zot se nuk dinë çfarë bëjnë”, që dikur ka qenë përdorur shpesh për njerëzit problematikë dhe me zhvillime mentale të kufizuara, në kohën tonë vështirë të justifikohet dhe të zerë vend. Sepse, siç është pranuar njëzëri tashmë, shteti modern që karakterizohet si një shtet demokratik, nuk mund të mos bazohet në respektimin e të drejtave të njeriut, çka i lë terren sundimit të ligjit dhe politikave sociale të përshtatshme. Në këtë kuadër të gjerë, njohja e strukturës objektive e të qenit bazë e së drejtës në përgjithësi dhe e së drejtës për të drejtat e njeriut në veçanti bën të mundur që të përcaktohen gjithashtu kufijtë e asaj që është dhe duhet të jetë e pranueshme. Kompromisi jashtë këtyre kufijve vlerësohet, se do të ishte në kundërshtim me dinjitetin e njeriut dhe do të çonte te shkelja e të drejtave të tij.
Në katalogun e këtyre të drejtave të formuluara në të drejtën pozitive renditet dukshëm edhe liria e shprehjes dhe e informimit, e cila përmbledh në vetvete atë që quhet zakonisht si ‘liri e shtypit’ apo si ‘liri e profesionit të gazetarit’. Madje, në dokumente të rëndësishme ndërkombëtare të kohës, ajo konsiderohet si një gur themeltar parësor i demokracisë, por ndërkohë edhe si kusht paraprak për gëzimin e të drejtave dhe lirive të tjera. Për shkak të rëndësisë së saj, shumë nga çështjet që kanë përcaktuar standardet e intepretimit të parimeve themelore të mishëruara, për shembull, në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut kanë dalë nga neni 10 i këtij Dokumenti të ratifikuar edhe prej Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, duke u thirrur njëherazi, në këtë fushë, në të njëjtin plan me dispozitat e Kushtetutës sonë. Ky nen, në paragrafin e parë të tij pohon që “çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes”, e cila “përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione ose ide”.
Këtu mbase ia vlen të kujtojmë përcaktimin si një lloj postulati të bërë dikur nga Gjykata Europiane në Strasburg, e cila duke interpetuar këtë nen për dhënien e vendimit rreth çështjes ‘Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar’ (1976) është shprehur se, liria e mendimit “zbatohet jo vetëm për “informacionin” ose “idetë” që priten mirë, apo që konsiderohen si jo fyese ose me mospërfillje, por edhe për ato që fyejnë, trondisin, shqetësojnë Shtetin ose çdo pjesë të popullsisë. Të tilla janë kërkesat e atij pluralizmi, tolerance dhe mendjegjerësie, pa të cilat nuk mund të ketë shoqëri demokratike”. Edhe gjatë viteve të mëvonshme, deri në ditët tona, në e gjithë jurisprudencën e kësaj Gjykate mund të gjesh vijimësisht dakortësinë, se: “kufijtë e një kritike të pranueshme janë më të gjerë për një politikan sesa për një individ privat. Ndryshe nga ky i fundit, i pari në mënyrë të pashmangshme dhe me dijeni i ekspozohet një shqyrtimi më të hollësishëm të çdo fjale dhe veprimi të tij, si nga gazetarët, ashtu edhe nga publiku i gjerë” (‘Obershlick kundër Austrisë’ – 1997).
Mirëpo, ajo që vihet re në faqet e shtypit tonë, sidomos në situata politike të ndezura, nuk është aq administrimi i lirisë së mendimit dhe dhënies së informacioneve ose ideve, sesa shpërdorimi i kësaj lirie. Dhe, çuditërisht, jo kur gazetarët interpretojnë fjalimet ose qëndrimet e politikanëve kryesorë. Përkundrazi, kur ata u drejtohen në faqet e shtypit autorëve të artikujve të ndryshëm, apo kur ata që i quajnë ose që vetquhen opinionistë i drejtohen njëri – tjetrit, duke shtrembëruar thelbin e debatit politik dhe duke e akuzuar se blasfemokërka po qe se ve në dukje dobësitë dhe dështimet e qeverisjes aktuale, apo të liderve të saj, të cilëve iu dashkan thurrur, siç bëjnë ata vet, hymne dhe hosanara. Kështu, njëri e etikon tjetrin për njohuri anatoreske në fushën e politikës dhe kërkon t’i mbushë mendjen lexuesit se vet është profesionist i mbaruar, duke u vënë pa u përmbajtur aspak dhe pa asnjë farë ndrojtjeje në rolin e atij, që në shqipen e përditshme quhet ‘sahanlëpirës; njëri i thotë tjetrit që përderisa kritikon qeverisjen për dobësitë dhe dështimet e saj, edhe pa zënë fare në gojë opozitën, pa dyshim që nuk tregohet asnjanës, ndërkohë që vet e konkretizon këtë ‘vërejtje’ me renditjen retorike të ‘të mirave’ që po i sjell popullit kjo qeverisje; dikush e akuzon firmëtarin tjetër për rekomandim të tezave marksiste – leniniste gjatë shprehjes së opinioneve të tij publike, kur vet as ka qenë dhe as nuk është në gjendje t’i njohë këto teza, pa le t’i kundërshtojë ato dhe të bindë të tjerët të mos influencohen prej tyre etj, etj.
Sidoqoftë, ai që është edhe më shqetësues në tërë këtë tollovi opinionesh nuk është pluratiteti i mendimeve, disa prej të cilave fatkeqësisht s’janë aspak të kualifikuara dhe të dobishme, por mjeti që përdoret për të diskredituar tjetrin. Ky mjet mishërohet te shpifja dhe falsifikimet, duke filluar që te shtrembërimi i fjalëve që citojnë ose te shkëputja e tyre prej kontekstit që tjetri ka dashur të shprehë, për të vazhduar më tej me akuza se ai që shprehka mendime të kundërta me altoparlantët e pushtetit na u paguakërka prej liderve të opozitës, apo me kundërargumente që nuk ia mbin veçse koka e tyre djerrë dhe që, kështu, s’mund të përmbushin dot ‘misionit’ që ka marrë përsipër të kryejnë. Kjo atmosferë, kjo gjendje e shtypit tonë ose, më saktë, e një pjese të tij, vështirë të konsiderohet e karakterizuar prej puralitetit të informacioneve, të mendimeve dhe ideve, përderisa sundohet nga një kakofoni që i çorodit dhe i lodh lexuesit e ndryshëm, apo në rastin më të keq, që i atakon ata me njëri – tjetrin dhe i shpie deri në përplasje shoqërore.
Për t’u kthyer te Konventa Europiane, paragrafi i dytë i nenit 10 të saj, pavarësisht vlerësimeve të shprehura në paragraqfin e parë, në të vërtet është hartuar me synimin për të mbrojtur reputacionin e të tjerëve, synim që mishërohet në shumë e shumë vendime të Gjykatës së Strasburgut Këto vendime u diktojnë edhe gjykatave lokale të vendve anëtare të Këshillit të Europës që në raste të tilla, në përputhje me legjislacionin e brendshëm, të administrojnë paditë civile të shtetasve të ndryshëm dhe të mundësojnë dëmshpërblimin e tyre për shkeljen e dinjitetit që u është bërë, nga shteti apo edhe nga kolegët e tyre, nga gazetarët apo nga gazetat, që nuk deformojnë detyrën e vet si dhënës/e informacioni dhe ruajtës/e publik/e. Tek e fundit, kjo mund të theksohet sidomos në një vend si ky yni, në të cilin duket ende larg mundësia për t’u pajtuar përfundimisht dhe plotësisht me standardet e ofruara nga e drejta për të drejtat e njeriut. Në një vend, ku sipas një shprehjeje anekdodike, “gjysma e gazetarëve mund të shpifin”. Jo, më e drejtë dhe më e kulturuar është të thuhet: “Gjysma e gazetarëve nuk shpifin”. Kështu mbase nuk cenohet dinjiteti i tyre.

(G.SH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›