E Diel, 1 Nëntor 2026

Një i vdekur dhe shtatë të plagosur në aksin Lushnjë-Fier

Shtimi i lëvizjeve në Jug rrit edhe numrin e aksidenteve

Fundjava ka nisur me dy aksidente të rënda në rrugën nacionale Lushnjë-Fier, që është mbingarkuar këto ditë të gushtit, për shkak të numrit të madh të pushuesve që udhëtojnë drejt plazheve të jugut dhe mijëra emigrantëve që kthehen nga Greqia nëpërmjet Kakavijës.

Dy aksidente të ndodhura mëngjesin e djeshëm në autostradë kanë shkaktuar një të vdekur dhe shtatë të plagosur. Sipas specialistëve të policisë rrugore, aksidentet kanë ndodhur si pasojë e tejkalimit të shpejtësisë nga shoferët, por edhe për mungesë të sinjalistikës rrugore.

Aksidenti i parë ka ndodhur në orën 05.00 të mëngjesit, kur një veturë me targa të Durrësit është përplasur me bordurat pranë rrethrrotullimit në hyrjen jugore të Lushnjës. Përplasja ka qenë fatale për një prej katër personave që ndodheshin në këtë veturë. Xhaferr Domi, 54 vjeç, banor i Shijakut, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Mariglen Deliu, 20 vjeç nga Tirana, është plagosur mjaft rëndë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Lushnjës është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku mjekët pohuan se i riu ndodhej në gjendje kritike për jetën.

Sipas Policisë së Lushnjës, dy personat e tjerë, Fiqiri Balliu, drejtues i automjetit, dhe Enver Deliu kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Lushnjës dhe kanë dalë nga rreziku për jetën. Po sipas uniformave blu të qarkullimit rrugor të Lushnjës, shkak i aksidentit mendohet të ketë qenë pakujdesia nga përgjumja e drejtuesit të automjetit që vinte nga Kakavija e udhëtonte drejt Tiranës.

Rreth orës 06.30, po në autostradën Fier-Lushnjë, në afërsi të fshatit Bishqethëm, një automjet me targa greke ka dalë nga rruga, por pa pasoja të rënda për shëndetin e personave që udhëtonin në të. Dy bashkëshortë dhe tre fëmijët e tyre të mitur kanë shpëtuar për mrekulli vetëm me disa plagë të lehta, megjithëse automjeti është dëmtuar tepër rëndë dhe ka përfunduar në kanalin kullues.
Policia tha se edhe në rastin e dytë aksidenti ndodhi në një rrethrrotullim, që është bërë shpeshherë shkak për aksidente të rënda deri dhe me humbje jetësh. Numri i aksidenteve është rritur shumë gjatë muajve të verës në rrugën Lushnjë-Fier. Vetëm gjatë dy javëve, në këtë aks kanë humbur jetën në aksidente katër persona.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›