Dy aksidente fusin në kaos qarkullimin rrugor
Dy aksidente të lehta bllokuan dje për më shumë se dy orë qarkullimin në dalje të qytetit të Shkodrës, në rrugën nacionale Shkodër-Tiranë dhe në hyrje të rrugës së Velipojës. Radhët e makinave shkuan deri në tetë kilometra, pasi makinat e përfshira në aksidente nuk lëvizeshin nga vendi prej pronarëve të tyre.
Aksidenti i parë ka ndodhur në hyrje të aksit rrugor Shkodër-Velipojë në Harkun e Bërdicës, ku dy automjete me targa të huaja janë përplasur, për shkak të një parakalimi të gabuar.
Vetëm pak minuta më pas, një tjetër përplasje ka ndodhur dy kilometra më larg, në lagjen Bahçallek të Shkodrës, ku sërish protagonistë të aksidentit janë bërë dy automjete me targa të huaja. Nga këto aksidente nuk ka pasur dëme në njerëz, por pasojat në trafik kanë qenë të mëdha. Vetëm pas ndërhyrjes së policisë rrugore, që gjithashtu e ka pasur të vështirë të shkojë në vendngjarje, është bërë i mundur normalizimi i qarkullimit të automjeteve në këtë rrugë të mbingarkuar në fundjavë, për shkak të lëvizjeve drejt bregdetit dhe të ardhjes së shumë emigrantëve.