E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vijim të komunikimit me Ju dhe me publikun ditën e djeshme, ju bëj me dije se zyra e Kryeministrit ka vërtetuar spekullimin e plotë, kriminal, të qëllimshëm dhe të rrezikshëm njëkohësi

Në vijim të komunikimit me Ju dhe me publikun ditën e djeshme, ju bëj me dije se zyra e Kryeministrit ka vërtetuar spekullimin e plotë, kriminal, të qëllimshëm dhe të rrezikshëm njëkohësisht të kryer në seancën e djeshme parlamentare nga deputeti Nikollë Lesi në lidhje me të ashtëquajturën përgjim të një bisede të zhvilluar në datën 15 dhjetor 1997, në orën 17.40 deri në 18.05, në hotel Rogner EuropaPark mes Kryeministrit dhe zotit Fehmi Abdiu.

Nga një verifikim i plotë i dokumentacionit zyrtar të asaj periudhe, theksoj dokumentacionit zyrtar dhe publik, rezulton se në datën 15 dhjetor 1997, Kryeministri Fatos Nano ka qenë duke zhvilluar një vizitë pune në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër, vizitë që ka filluar që në datën 14 dhjetor dhe ka përfunduar në 17 dhjetor 1997.

Për më tepër pikërisht në orën e pretenduar nga "dokumentat Lesi" se është zhvilluar një bisedë e tillë në hotel Rogner, Kryeministri Fatos Nano ka qenë me Sekretarin e Jashtëm Britanik Robin Kuk.

Për këtë arsye po ju vëmë në dispozicion dokumentat zyrtare dhe publike të asaj periudhe:

Urdhrin e brendshëm zyrtare të asaj kohe për këtë vizitë, si dhe të përditëshmet e asaj periudhe duke filluar që nga gazeta Koha Jonë etj., të cilat kanë pasqyruar vizitën dhe takimin e Kryeministrit në datë 15 dhjetor 1997 me sekretarin e Jashtëm britanik dhe në ditet në vazhdim aktivitet e zhvilluara me këtë rast, të cilat hedhin poshtë të gjitha pretendimet. (Gazetareve u vihen në dispozicion të gjithë dokumentat dhe gazetat e përditshme)

Gjithashtu në përmbushje të detyrimeve të tij kushtetuese dhe publike Kryeministri Fatos Nano, duke e konsideruar edhe nje here aktin e djeshëm si një spekullim shumë të rrezikshëm në kurriz të sigurisë sonë kombëtare, stabilitetit të vendit dhe të rajonit, në kurriz gjithashtu të funksionimit të shtetit ligjor dhe të imazhit të shqiptarëve, do të vazhdojë të gjitha hapat ligjorë në këtë funksion, për të cilat do t'ju mbajmë në kontakt të vazhdueshëm.

Më pas, zëdhënësi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Pyetje: Pavarësisht datës, ju thoni se nuk ka patur një takim të tillë midis z.Nano dhe z.Abdiu?

Z.Dalipi: Unë kam bërë një deklaratë dje në mbrëmje dhe deklarata e shpreh qartë, e quan spekullim atë që zoti Lesi ka thënë në parlament. Pra ai takim nuk ekziston. Kështu që besoj se kjo ceshtje është e qartë.

Pyetje: A do të verifikohet gjithe kjo çështje dhe si mund të thuhet që një Kryeminister përgjohet, mbi çfarë baze ligjore bëhet kjo?

Z.Dalipi: Natyrisht kjo është pjesë e hetimeve që tashmë me kërkesë të Kryeministrit, dhe siç e bëra publike mbrëmë, ka filluar. Këtij hetimi do t'i shkohet deri në fund për t'i dhënë përgjigjet përkatëse, pasi, siç e theksova, kjo është një lojë shumë e rrezikshme, e cila nuk bëhet për interesat personale të dikujt, por i tejkalon këto interesa dhe prek interesat kombëtare të vendit.

Pyetje: A është i gatshëm Kryeministri të dalë në komisionin parlamentar hetimor për këtë çështje?

Z.Dalipi: Për çfarë çështje?

Pyetje: Për akuzën e bërë nga Lesi?

Z.Dalipi: Për cilën akuzë? Ju keni në dorë dokumenta zyrtare dhe publike. Për çfarë akuze bëhet fjalë? Kryeministri nuk mund të pranoje komision për një akuzë fallco apo te sajuar. Bie poshtë çdo argument në lidhje me këtë çështje. Mund t'i lexoni të gjitha materialet dhe për të hedhur poshtë çdo paqartesi ju citoj dhe një herë çfarë është shkruar tek gazeta Tema sot, që i referohet botimit origjinal ku nuk thotë transkriptim, por "regjistrimi i përgjimit filloi në orën 17.40, datë 15.12.1997 dhe mbaroi në orën 18.05, të datës 15.12.1997". Pra, pikërisht kur në dokumentat zyrtarë dhe ato publikë të asaj kohe në vetë gazetën e botuesit që përmenda është e saktë se ku është ndodhur Kryeministri dhe gjithashtu edhe në gazetat e tjera përgënjeshtrohet ky fakt. Faleminderit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›