E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot pasdite në hapjen e ekspozitës artistike "Në një fushë me lulëkuqe", e piktorit amerikan Richard Harden, e organizuar në mjediset e Galerisë së Art

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot pasdite në hapjen e ekspozitës artistike "Në një fushë me lulëkuqe", e piktorit amerikan Richard Harden, e organizuar në mjediset e Galerisë së Arteve, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Kryeministri Nano pa nga afër punimet e kësaj ekspozite, për të cilat autori është inspiruar nga Ballkani dhe e fokusuar kryesisht në ngjarjet tragjike që përjetoi disa vite më parë Kosova.

Me këtë rast, Kryeministri Nano mbajti këtë fjalë përshëndetëse:

"Shkëlqesia juaj, Z. Ambasador Jeffrey,
I dashur Richard,
Të dashur miq,

Është kënaqësia ime e veçantë që të përshëndes me rastin e hapjes së kësaj ekspozite artistike, e cila është e gjitha e frymëzuar dhe nga Ballkani dhe e fokusuar kryesisht në ngjarjet tragjike që përjetoi vetëm pak kohë më parë Kosova dhe jo vetëm Kosova.

Për Kosovën, për shmangien e tragjedisë së pastrimit etnik të asaj makine të frikshme që ngriti me këmbë regjimi fashist i Millosheviçit, është folur e do të vazhdojë të flitet në vijim nga shumëkush. Janë shkruar studime dhe janë bërë analiza të shumta politike, sociale e të tjera. Kjo do të vijojë sigurisht edhe në të ardhmen, pasi përmasa e tragjedisë që përgatitej në kurriz të popullit shqiptar dhe që u realizua vetëm pjesërisht, ishte e përmasave biblike. Por kur i gjithë ky realitet konsiderohet dhe përthyhet edhe në art, aq më tepër në një art modern, siç është edhe rasti i kësaj ekspozite, kjo do të thotë se përjetësimi i aktit qytetar të aleancës së botës së qytetëruar në mbrojtje të një popullsie civile tashmë është bërë përfundimisht pjesë e pashlyeshme e historisë. Aktivitete të tilla vetëm se e pasurojnë shpirtin tonë dhe na bëjnë të ndjehemi krenarë për atë aksion të madh humanitar dhe patriotik që përmbushi i gjithë populli shqiptar në kuadër të kësaj tragjedie, siç na bëjnë të ndjehemi krenarë se edhe sot e gjithë ditën tashmë ajo që ndodhi është pjesë e krenarisë sonë kombëtare.

Republika e Shqipërisë dhe Qeveria e saj janë seriozisht të angazhuar dhe të vlerësuar për kontributet reale dhe të vyera që po japin për luftën kundër terrorizmit dhe diktarurave, si dhe për rivendosjen e rendit demokratik jo vetëm në rajon, por edhe në nivele globale.

Të krijosh dialog dhe mirëkuptim përmes artit dhe mbi një tragjedi, më pas këtë synim njerëzor ta shëtisësh me shpresën dhe besimin se do të mirëkuptohet njëherësh në Beograd, Prishtinë dhe Tiranë, është një provë e ndryshimit të madh që ka ndodhur dhe që po progreson në rajonin tonë, pas rënies së regjimeve despotike. Ne jemi të vendosur që këtë realitet mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, të inkuadruar qartë në angazhimin e proçeseve integruese euroatlantike, ta çojmë përpara, pavarësisht çmimit.

Për të gjitha këto, më lejoni që në emrin tuaj të falenderoj piktorin Richard Harden për emocionet që na përcjell duke dhënë kësisoj ndihmesën e vet të vyer, si dhe Ambasadën Amerikane në Tiranë, për ndihmën që ka dhenë. Fakti që kjo ekspozitë vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një provë tjetër sesa shumë i ka shkurtuar largësitë politika e bashkëpunimit dhe e miqësisë mes dy vendeve tona.

Ju faleminderit!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›