E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvritet pasi plagosi fqinjin



durres/ OERD ULQINI

Gjysmë ore pasi qëllon me armë fqinjin, ia drejton pistoletën vetes, duke u vetëvrarë me një plumb në kokë, në fshatin Rrashbull të Durrësit. Muhamet Tushku, 55 vjeç ka mbetur i vdekur në vend, teksa fqinji i përfshirë në konflikt me të, 35-vjeçari Aleksandër Zaimi, ndodhej i shtruar në spital në gjendje kritike për jetën. Ka degraduar në vetëvrasje dhe plagosje të rëndë një konflikt i vjetër pronësie, që ekzistonte mes dy familjeve me origjinë nga Librazhdi, të cilat banonin në “Spitallë”, zonë kjo e ish-Kënetës. Ka qenë ora 14:00, kur i armatosur me një pistoletë “model 54”, të cilën e mbante pa leje, Muhamet Tushku ka qëlluar mbi Zaimin. Ngjarja ndodhi në një rrugicë të lagjes 15 të Durrësit, pak metra larg shtëpive të tyre. Një plumb i vetëm, kalibër 7.62 mm, e ka goditur fqinjin në shpatull, duke i depërtuar edhe në kraharor. Ai është shtrirë përdhe, i gjakosur dhe agresori Tushku, ndërsa e mendonte të vdekur shënjestrën e tij mori arratinë. Pak minuta pas krimit, sipas policisë, ai kishte thërritur të birin, i cili e ndihmoi për t’u larguar nëpërmjet një makine të tipit “Volksvagen”, pronë e tyre nga vendi i ngjarjes. Me kërkesë të Muhametit, djali i tij e transportoi atë në Rrashbull, afro 12 kilometra larg vendit të ngjarjes, duke e lënë në një shtëpi të braktisur, gjoja për t’u fshehur. Por plumbat e shtëna ndaj fqinjit e kishin tronditur thellë psiqikisht agresorin, i cili duket se pak minuta pasi qëlloi fqinjin “gatoi” planin për t’u vetëflijuar, larg syve të të birit. Rreth orës 14:30 minuta, në një shtëpi të braktisur të Rrashbullit, Muhamet Tushku shkrepi një plumb në kokën e tij. Policia që i ishte vënë në ndjekje dhe djali i tij kanë parë thuajse njëkohësisht skenën makabre. Muhamet Tushku kishte gjetur vdekjen e menjëhershme nga plumbi në kokë, teksa arma e krimit e tipit pistoletë gjendej pak centimetra larg dorës së tij. Policia është e bindur se krimi ndaj fqinjit dhe bashkë me të edhe vrasja e ndërgjegjes, për aktin që nuk mund të zhbëhej më, e ka shtyrë agresorin t’i jepte fund edhe jetës së tij. Ndërkohë, hetuesit kanë shoqëruar në polici djalin 25-vjeçar të Muhamet Tushkut, i cili sipas hetimeve të deritanishme nuk ka gisht në atentatin ndaj Zaimit. Ai rezulton të jetë lajmëruar nga i ati, pasi ky i fundit ka kryer krimin. Konflikti mes dy familjeve zgjaste prej vitesh dhe policia ka thënë se mes Zaimëve dhe Tushkëve kishte lindur një fqinjësi e keqe, e shtyrë për motive të dobëta. Ata ndaheshin nga një gardh, i cili duket se ishte bërë burim mosmarrëveshjesh. Nga ana tjetër, Zaimi ndodhet në gjendje shumë të rëndë në spital dhe mjekët po bëjnë të pamundurën për t’i shpëtuar jetën, me ndërhyrje kirurgjikale. Në këtë mënyrë, konflikti që zgjaste prej kohësh mes dy fqinjëve në Durrës degradoi në një tragjedi të dyfishtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›