E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vorbullën e luftës

Pas varrimit të shefit të vrarë të shërbimit të inteligjencës, në Bejrut pati përleshje të armatosura. Përleshjet dëshmojnë se konflikti në shtetin fqinjë të Sirisë po e zhyt edhe Libanin në vorbullën e luftës.

Në orën dhjetë të mëngjesit filluan bastisjet. Ushtria e Libanit, në disa pjesë të ndryshme të Bejrutit, u vu në kërkim të nxitësve të përleshjeve të armatosura. Së paku gjashtë persona u plagosën, pas përleshjeve mes banorëve të lagjeve shiite dhe sunite të qytetit.

Trazirat filluan vetëm disa orë, pas varrimit të gjeneralit të vrarë, Wissam Al Hassan.

Kryesuesi i shërbimit të brendshëm libanez të inteligjencës (ISF), u vra të premtën, pas shpërthimit të një auto-bombe. Gjatë procesionit të varrimit të tij në sheshin e martirëve, në qendër të Bejrutit, shpërthyen përleshjet e para mes protestuesve dhe policisë.

Protestuesit për vrasjen e Al Hassanit fajësuan Sirinë, ndërsa disa qindra prej tyre tentuan të sulmojnë zyrën e kryeministrit Nachib Mikati.

“Vendi ynë po hyn në një fazë vendimtare dhe kritike”, deklaroi të hënën kreu i ushtrisë së Libisë. “Përmasat e tendosjeve në rajon kanë arritur nivele tejet të larta”, u theksua më tutje. Për shumë njerëz këto tendosje janë dëshmi se konflikti nga Siria fqinje po bartet në Liban, duke e zhytur vendin në vorbullën e luftës dhe të dhunës.

“Natyrisht se menjëherë na kujtohet lufta qytetare, e cila zgjati 15 vjet dhe e cila shkatërroi vendin në tërësi. Kjo luftë nuk mund të nxirret më nga kokat e libanezëve, e as mundësia që grupet e ndryshme religjioze të fillojnë sërish luftimet ndërmjet vete”, thotë Raffy, një student i informatikës.

Por përleshjet e fundit në Bejrut nuk ndërlidhen me religjion. Libani është i ndarë në dy taborë politik, të cilët ka tashmë disa vite që nuk e durojnë njëri-tjetrin, por në të cilat janë të përfaqësuara të gjitha religjionet. Vrasja e Al Hassanit është një shkas i ri, që armiqësinë mes tyre këto dy tabore ta shprehin sërish me armë.

Al Hassan ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i Saad Haririt, ish-kryeministrit të vendit dhe figurë udhëheqëse e aleancës opozitare, 14 Marsi. Një fraksion ky pro-perëndimor, i drejtuar kryesisht kah SHBA-ja dhe Franca, fraksion ky i cili mbështetë luftën e kryengritësve sirianë kundër presidentit të Sirisë, Baschar Al Assad.

“Qeveria duhet të jep dorëheqje”, theksoi Nohad Al Mashnouq, një zyrtar i lartë i aleancës 14 Marsi.

“Kjo qeveri përfaqëson regjimin e Sirisë dhe mbron politikën e Iranit në Liban”, thotë ai, duke aluduar në organizatën radikale shiite, Hezbollah, e cila luan një rol të rëndësishëm në kabinetin e kryeministrit Mikati dhe pjesëtarët e së cilës organizatë luftojnë në anën e ushtrisë së Sirisë.

Në Tripoli, qytet ky në veri të Libanit, jo shumë larg kufirit me Sirinë, situata është ndryshe nga ajo në Bejrut. Këtu po zhvillohet një konflikt përgjatë vijave fetare, luftime këto pas të cilave u vranë së paku tre persona. Ka tashmë disa muaj që dy lagje të rivalizuara, lagjja alavite Shabal Mohsen dhe ajo sunite, Bab Al Tabanbeh, po zhvillojnë luftime të ashpra mes vete.

Tripoli është qendër e islamit konservator sunit, ku besohet se jetojnë rreth 3500 salafistë ekstremë. Nëpër Tripoli kalon kontrabanda e armëve për “vëllezërit sunitë”, pra për kryengritësit, të cilët synojnë përmbysjen e Assadit dhe të regjimit të tij.

Mbi 50 mijë alavitë, të cilët i takojnë një sekti shiit brenda islamit, konsiderohen si të pafe. Ata gjithashtu akuzohen edhe për aleancën e tyre me regjimin në Damask. “Të gjithë këta njerëz janë terroristë, të cilët furnizohen me armatim nga Damasku”, thotë Abu Mounir, një komandant i një njësie sunite në Bab El Tabaneh.

Në katin më të epërm të shtëpisë së tij gjendet një barrikadë me thasë të rërës, me shikim kah lagjja e alavitëve. “Nga këtu, ne sulmojmë me armë anti-tank”, pranon Mounir. Ai dhe njerëzit e tij mbështetën financiarisht nga aleanca 14 Marsi.

Deri me tani, përleshjet kanë mbetur të kufizuara në vetëm këto dy lagje.

“Pyes vetën se çfarë do të ndodhë, nëse tani do të kemi një valë të re të atentateve”, thotë Ruffy, studenti i informatikës. Kujtimet për luftën qytetare në Liban janë ende të freskëta në mesin e libanezëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›