E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE zotohet se nuk do të mbahen zgjedhjet lokale serbe

Zëdhënësi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikolla Gaon, ka mohuar kategorikisht mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në lokalitetet ku OSBE-ja organizon zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.

"Nuk do të ketë votim për zgjedhjet lokale në ato qendra të votimit që do të krijohen nga OSBE-ja. Ne jemi duke planifikuar që një numër prej 500 personash vendorë dhe ndërkombëtarë të jenë të angazhuar në lehtësimin e zgjedhjeve serbe me 6 maj", tha për RTK, Gaon.

Puna që do të bëjë OSBE-ja sipas marrëveshjes për lehtësimin e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare serbe në Kosovë, bazohet në lehtësimin e votimit të të gjithë atyre personave që kanë të drejtë vote.

"Misioni i OSBE-së në Kosovë do tu mundësojë të gjithë atyre personave që kanë të drejtë vote ta ushtrojnë këtë të drejtë. Do të bëjmë transportin e materialit votues dhe pas përfundimit të votimit do të kthejmë materialin votues jashtë Kosovës", theksoi Gaon.

Më 6 maj votimet do të mbahen në 28 lokacione me gjithsej 90 vendvotime. Zëdhënësi i OSBE-së Gaon tha se ende nuk është vendosur se si do të jenë qendrat e votimit, statike apo mobile. Ndryshe Qeveria e Kosovës, vendet e Quintit dhe ICO-ja kanë përshëndetur vendimin e OSBE-së që t'i organizojë zgjedhjet serbe në Kosovë. Edhe Departamenti amerikan i shtetit ka mbështetur marrëveshjen e arritur nga OSBE-ja me Qeverinë e Kosovës dhe Serbisë, për lehtësimin e pjesëmarrjes së shtetasve serbë, banorë në Kosovë, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë më 6 maj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›