E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në zgjedhjet e ardhshme, PR do të jetë përkrah Partisë Demokratike”

PR, mban Konferencën rajonale në Kukës

TIRANE - Në konferencën rajonale të republikanëve të Qarkut të Kukësit, që u mbajt dje në këtë qytet, nënkryetari i Partisë Republikane (PR), Neritan Alibali, deklaroi se edhe në zgjedhjet e vitit 2009, PR do të jetë përkrah Partisë Demokratike (PD).
“Ne jemi forca e dytë e së djathtës dhe synimi i PR-së është lehtësimi i biznesit nga taksat, duke mbajtur peshën që na takon në qeverisje”, tha Alibali.
“E vetmja kontradiktë që na ndan nga PD-ja është problemi i pronave dhe për këtë kemi paraqitur në parlament 25 amendamente, për një pjesë të të cilave kemi gjetur mirëkuptim”, theksoi ai. 
Në konferencën rajonale të PR-së të Qarkut të Kukësit u kërkua që strukturat shtetërore të mos jenë të mbushura me militantë partiakë, por me specialistë.
“Pavarësisht nga mangësitë e vërejtura, është jetike që e djathta të fitojë edhe një mandat të dytë”, tha Alibali. Ai përmendi se në Qarkun e Kukësit, PR kontrollon prefekturën dhe ka 27 këshilltarë.
Konferenca rajonale e PR-së, qu u mbajt dje në një nga sallat kryesore të pallatit të kulturës “Hasan Prishtina”, në qytetin e Kukësit, zgjodhi dhe drejtuesit e fushatës elektorale, me synimin që të mbetet edhe pas ndryshimeve në kodin elektoral, forcë e dytë politike e së djathtës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›