E Diel, 1 Nëntor 2026

“Parlamenti francez, entuziast për arritjet e qeverisë së Shqipërisë”

Kryetarja e Kuvendit takon Presidenten e grupit të miqësisë Francë-Shqipëri, Genevieve Colot

TIRANE - Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti dje në takim Presidenten e grupit të miqësisë Francë-Shqipëri të Asamblesë Kombëtare të Francës, Genevieve Colot.
Deputetja franceze Colot shprehu kënaqësinë e saj se Asambleja Kombëtare e Francës ratifikoi MSA-në Shqipëri-BE me një unanimitet të plotë dhe me konsensusin e të gjitha grupeve parlamentare gjë që, siç u shpreh ajo, është e rrallë për këtë asamble.
Ajo e njohu Kryetaren e Kuvendit me diskutimet e bëra në ditën e ratifikimit, duke nënvizuar faktin se të gjithë deputetët e grupeve të ndryshme parlamentare që e morën fjalën në seancë u shprehën entuziastë për sukseset dhe arritjet e Qeverisë së Shqipërisë.
 Zonja Colot tha se kjo gjë e motivon atë dhe deputetët e tjerë të grupit të miqësisë Francë-Shqipëri për të nxitur përshpejtimin e ratifikimit të Protokollit të NATO-s nga Asambleja Kombëtare e Francës. Kryetarja e Kuvendit nënvizoi faktin se Franca ka qenë gjithmonë një mbështetëse kryesore e Shqipërisë, jo vetëm në rrugën e saj drejt BE-së dhe NATO-s por edhe në zhvillimin e brendshëm të vendit.
Biseda u fokusua edhe në rritjen e bashkëpunimit mes dy parlamenteve, bashkëpunim që ka njohur një rritje kohët e fundit me vizita të nivelit të lartë por edhe mes grupeve të deputetëve  dhe komisioneve parlamentare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›