Projektligji për Prokurorinë miratohet në Kuvend brenda këtij sesioni parlamentar
TIRANE - Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar”, do të miratohet në Kuvend brenda këtij sesioni parlamentar.
Kalendari 3-javor i punimeve të Kuvendit, i miratuar në mbledhjen e fundit të Konferencës së kryetarëve, përfshin ndër të tjera dhe shqyrtimin e këtij projekti të rëndësishëm në seancën e fundit plenare për vitin 2008, më 29 dhjetor.
Projektligji, për të cilin është informuar edhe më parë nga drejtues të Ministrisë së Drejtësisë, vlerësohet si një draft që garanton pavarësinë e organit të akuzës nga ekzekutivi dhe përgjegjshmërinë e tij para ligjit. Drafti është fryt i një bashkëpunimi disamujor midis institucioneve dhe ekspertizës ndërkombëtare në fushën e ligjeve të misioneve EURALIUS dhe OPDAT.
Gjatë miratimit të këtij projekti në qeveri pak ditë më parë, kryeministri Sali Berisha ndërsa vlerësoi punën e Ministrisë së Drejtësisë në hartimin e draftit i bëri thirrje opozitës që ta shqyrtojë dhe të paraqesë vërejtjet dhe sugjerimet e saj rreth projektit, për t'i hapur rrugën miratimit bashkërisht të ligjit. Nisma ligjore e qeverisë për organizimin dhe funksionimin e institucionit qendror të akuzës ka shkaktuar reagime nga opozita e majtë, e cila paraprakisht ka kontestuar disa pika të saj