Nedeljkovic: KFOR-i tradhtoi besimin e serbëve
Duke hequr barrikadën në Jarinjë, të mërkurën në mëngjes, KFOR-i ka tradhtuar besimin e serbëve të veriut të Kosovës, ka thënë i ashtuquajturi kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedeljkoviç.
Ai shtoi se KFOR-i kështu ka tradhtuar “vullnetin e mirë të shprehur të serbëve për mundësimin e qarkullimit të lirë të furnizimeve dhe të ndërrimit të ushtarëve pikërisht në atë vend”.
"Nuk është në mandatin e KFOR-it që të bllokojë rrugët alternative dhe të mbyllë këtë pjesë të vendit. Nga kjo ne duhet të nxjerrim mësime. Pa marrë parasysh se sa shumë ushtarë ka KFOR-i, ata nuk munden me dhunë të imponojnë zgjidhje," tha ai për Beta.
Nedeljkoviç thotë se duhet të ndryshojë politikat dhe strategjia "kur është fjala te bashkësia ndërkombëtare dhe se ata duhet të pranojnë faktet dhe realitetin në terren se serbët në veri të Kosovës nuk i duan të ashtuquajturat institucionet e Kosovës".