E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neglizhenca e Financave godet importuesit nga Kina

Çmimet e referencës në dogana për kontejnerët që vijnë nga Kina janë kthyer në "ferr" për biznesin. "Shqip" publikoi pak kohë më parë problemin në fjalë, duke marrë garancinë nga drejtuesit e doganës, se së shpejti do t‘i jepet zgjidhje. Kur shkresat me propozimin për uljen e referencave janë bërë gati, firma mbi to nuk është hedhur ende. Bëhet fjalë për importuesit që sjellin mall nga Kina përmes kontejnerëve me kosto reale mesatare 1400 dollarë/kontejneri, në një kohë që administrata doganore aplikon referencë për një çmim 4500 dollarë. E vërteta e gjithë kësaj historie është fakti se problemin e pranon si dogana, ashtu dhe Ministria e Financave. Kjo e fundit deklaron se çështja do të zgjidhet shumë shpejt, madje shton se i ka kërkuar administratës doganore uljen e çmimit të referencës. Por doganat nuk pranojnë t‘i binden urdhrit pa pasur shkresë me firmë. Në situatën për t‘ia kaluar topin njëra-tjetrës, biznesi mbetet i humburi më i madh. Zyrtarë nga Ministria e Financave e pranojnë gabimin, duke shtuar se duhet ndrequr sa më shpejt. Në fakt, kanë kaluar pesë muaj dhe çmimet e referencës që aplikohen për kontejnerët nga Kina vazhdojnë të mbetet të larta dhe larg tregut.

Edhe pse dogana garanton se përdorimi i referencave ndodh vetëm në rastet kur biznesi nuk paraqet një deklaratë të plotë doganore për vlerën e mallit, aplikimi është kthyer taksativ. Çmimi prej 4500 dollarësh është vendosur prej kohësh, kur realisht transporti i kontejnerëve kushtonte rreth 5000 dollarë, ndikuar edhe nga çmimi i naftës. Por që nga muaji dhjetor, transporti nga Kina deri në Portin e Durrësit ka pësuar trefish ulje të kostos, e lidhur nga kriza, ulja e porosive, si dhe çmimi në rënie i naftës. Kanë kaluar afro pesë muaj dhe dogana aplikon referencë 4500 dollarë, kur realja është rreth 1500 dollarë. Ankesat nga biznesi janë shtuar çdo ditë, kurse dogana vetëm pret e përcjell, me përgjigjen se "Ministria e Financave është përgjegjëse, pasi harron politikat fiskale". Kontakti i bizneseve me autoritet doganore ka qenë i vazhdueshëm, por zgjidhja nuk po arrihej, duke nënkuptuar se vendimi duhej marrë nga sipër, pra nga Ministria e Financave. Aktiviteti tregtar me Kinën ka pësuar rritje mesatare me 10 për qind çdo vit, e në këto kushte impakti negativ për importuesin ka qenë i madh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›