Sllovenët kërkojnë luginën e Shalës
Një koncorcium slloven kërkon të marrë miratimin në Tiranë për të ndërtuar një seri hidrocentralesh të vegjël në lumin e Shalës në Malësinë e Shkodrës, bën të ditur agjencia sllovene e lajmeve, STA. Konsorciumi Interenergo ka marrë miratimin paraprak nga qeveria si dhe bonusin për tenderin formal për një projekt me vlerë të përgjithshme prej 145 milionë eurosh, që parashikon ndërtimin e tre hidrocentraleve, "Dukagjin 1", "Dukagjin 2" dhe "Dukagjin 3". Sipas kontratave standard, konsorciumi do t‘i shfrytëzojë hidrocentralet për një periudhë prej 35 vjetësh. Në kontrata të ngjashme koncesionare, qeveria shqiptare ka garantuar blerjen e energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet private nga KESH sh.a., me çmime të përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike në bazë të një formule që merr parasysh çmimin mesatar të importit të energjisë. Ekspertët e fushës besojnë se skema është e gabuar në thelb, pasi ekonomia shqiptare përfiton pak ose aspak nga këto investime koncesionare, ndërkohë që vendos ujin dhe tokën në dispozicion të koncesionarit kundrejt një tarife të ulët. Rreth 100 kontrata koncesionare për ndërtim hidrocentralesh të vegjël janë nënshkruar nga qeveria gjatë pesë viteve të fundit. Prodhimi privat i energjisë elektrike në Shqipëri është ende në nivele shumë të ulëta.