E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociata me serbët kosovarë, jo me Beogradin

Nëse serbët kosovarë do ta pranonin Kosovën si shtet të tyre, Qeveria në Prishtinë mund të negocionte me ta, për “zgjidhje kreative” ose modifikimin e Planit Ahtisaari, deri në shkallë të modelit të Tirolit Jugor. Sidoqoftë, Prishtina në asnjë mënyrë nuk mund të negociojë me Beogradin zyrtar për kurrfarë  “autonomie” derisa Beogradi nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës dhe derisa Kosova nuk anëtarësohet në OKB. Atëherë dy shtetet mund të merren vesh edhe për shkëmbim territoresh, që duket zgjidhja më humane

Kosova tashmë është në kuotën 100 % të pavarësisë së saj, mirëpo duke qenë se qeverisja e pjesës veriore edhe pas verdiktit të GJND-së duket e pamundshme, Prishtina duhet të kalojë në ofensivë për rikthimin e integritetit territorial.
Qeverisja atje është pamundësuar falë neglizhencës së Prishtinës, kryengritjes së serbëve dhe përçarjes së BE-së. Dhe këtë gjendje po e shfrytëzon kryetari serb Boris Tadiq, që të plasojë në publik tregime fantastike, duke krahasuar të drejtën e legalizuar ndërkombëtarisht të Kosovës për pavarësi me atë të një gjysmëqyteti (pjesa e ndarë e Mitrovicës matanë Ibrit) dhe tri katundeve të humbura në Ballkan (Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq).
Prandaj Prishtinës i vyen më së shumti që vetë të kërkojë modele për zgjidhjen e këtij problemi me serbët kosovarë, në mënyrë kreative, por pa e cenuar ekzistencën e shtetit të ri dhe as interesat jetësore të tyre, përderisa formalisht janë shtetas.
Serbia zyrtare po e përdor mirë përçarjen e bllokut të vendeve evropiane duke lansuar variante të ndryshme, që nga autonomia e plotë (shkëputje) për veriun e Kosovës, deri tek mundësia e ndërrimit të territoreve.
Mirëpo Kosova në secilin rast duhet të kërkojë zgjidhje të njëjtë si për pjesën veriore të Kosovës, edhe për Luginën e Preshevës, por aranzhmanet me Serbinë në këtë rast mund të bëhen vetëm në raporte barazie, pra kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.
Qeveria e Kosovës realisht është përpjekur, sado me indolencë për ta rikthyer veriun nën administrimin e saj, por ajo në kontinuitet ka pasur mungesë oferte për serbët kosovarë. Duket situatë paradoksale, por Kosova duhet të negociojë me “vetveten”, me një pjesë nominalisht të saj, me serbët kosovarë dhe me pjesën veriore të vetes, ndërsa me Beogradin duhet të dialogojë për raportet ndërshtetërore dhe për modalitetet e njohjes së dyanshme, e tek pastaj si dy shtete sovrane mund të negociojnë edhe për çështje territoriale (sikur Mali i Zi me Kroacinë për Prevllakën dhe Sllovenia me Kroacinë e Shqipëria me Greqinë për ujërat territoriale e Kosova me Maqedoninë për Debëlldenë), pra për ndërrimin eventual të territoreve dhe bartjen humane të popullsive të mbetura (tri fshatra shqiptare në Leposaviq e një në Zubin Potok dhe ndonjë fshat serb në Luginë të Preshevës.)
Serbët në Kosovë realisht kanë autonomi dhe varianti i autonomisë për ta është ai që e ka dizajnuar Martti Ahtisaari, por të cilën nuk e pranojnë. çka tash?
Autonomi të re? Cila është ajo?
Krijimi i një entiteti serb në veri ende nuk është formalizuar (autonomi territoriale dhe administrative), por kjo mund të ndodhë me pak ndryshim (gjuhësor) në Planin Ahtisaari, dhe e cila do t’i përafrohej modelit të Tirolit Jugor, që e spikati më herët kancelari i Austrisë, Alfred Gusenbauer, kurse aktualisht edhe Hans Swoboda nga fraksioni socialdemokrat në Parlamentin Evropian, pra një formulë që nuk e poshtëron Serbinë, sipas tyre.
Kurse varianti i ndarjes etnike dhe shkëmbimi i territoreve (kjo e implikon edhe zhvendosjen humane të popullsisë) edhe nëse shikohet si qasje humane dhe ndarje fer, në këtë situatë është i pamundshëm, ndonëse Serbia duket e interesuar për këtë model.
Kosova s’ka më kë të bëjë këso pazaresh, derisa Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të saj!?
Kështu që skenari i parë (Plani i Ahtisaarit) mund të implementohet vetëm nëse BE-ja merr një vendim unik, për ta mbrojtur atë që e ka negociuar vetë dhe për çka ka përgjegjësi direkte.
Nëse Prishtina hyn në negociata për çfarëdo autonomie për pjesën veriore të Kosovës me Beogradin, konsekuencat do të jenë fatale. Serbët e veriut të Kosovës do ta shpallin entitetin e tyre të pavarur (njëfarë krijese si Republika Sërpska) dhe kjo do të shpjerë në ndarjen faktike dhe bashkim Serbisë. E ndarja e bën jofunksional vetë shtetin e Kosovës, ngase ky entitet serb do t’i inkurajonte edhe serbët në brendi të Kosovës, posaçërisht ata në lindje të saj, që të mbanin të njëjtin kurs, por të qetë nuk do të rrinin as serbët e Kosovës qendrore dhe jugore. Ky do të ishte modeli i “lëkurës së leopardit”, pra bosnizmi i Kosovës, fundi i saj si shtet dhe pjesa e mbetur e saj do të detyrohej t’i bashkohej Shqipërisë.
Pos skenarit të parë ahtisaarian që duhet negociuar me serbët kosovarë, shkëmbimin e territoreve Prishtina mund ta negociojë me Serbinë, por vetëm pasi ajo ta ketë njohur shtetin e Kosovës në kufijtë e saj kushtetues dhe pasi të jenë hequr barrierat në KS të OKB-ve për ngritjen e flamurit të Kosovës në East River.
Në anën tjetër secesioni i pjesës veriore të Kosovës do ta rikthente të ashtuquajturin ‘domino-efekt’ në rajonin tonë, duke e cenuar posaçërisht Maqedoninë, por natyrisht edhe shqiptarët në Luginë të Preshevës do të ndërmerrnin hapa secesionistë dhe kjo do ta rikthente Ballkanin në vitet ’90-ta. Në luftë!
Kështu që, Prishtina me urgjencë duhet t’i thërrasë serbët kosovarë në negociata duke injoruar çfarëdo negociatash me Beogradin krejt përderisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Atëherë gjërat do të ishin më të lehta. Mundet, pse jo, të bisedohet edhe për shkëmbim territoresh. Derisa në pjesën veriore të Kosovës, (Zubin-Potok, Leposaviq, Zveçan dhe në Mitrovicën veriore), shumica e popullsisë është serbe, që e konteston autoritetin e Prishtinës, kjo d.m.th. se ata nuk janë të interesuar për kurrfarë autonomie, por thjesht për ndarje. Sa për ilustrim, në regjionin autonom Trentino-Alto Adige (Tiroli Jugor) shumicë janë austriakët gjermanfolës, mirëpo askush nuk e vë në pikëpyetje përkatësinë e asaj pjese në Itali. Kurse garantues të këtij statusi janë edhe Roma, edhe Vjena.
Pra Tiroli Jugor gëzon një autonomi solide në qeverisje lokale (me qeveri rajonale) të negociuar mes dy shtetesh sovrane, Austrisë dhe Italisë.
Veriu i Kosovës aktualisht nuk është entitet i pavarur, ngase administrohet nga konglomerati Beograd - mafia lokale dhe bashkësia ndërkombëtare, derisa Prishtina është vetëm vëzhgues pasiv, si bartëse nominale (aq sa është subjekt i së drejtës ndërkombëtare) e sovranitetit mbi këtë pjesë, e cila nuk i përgjigjet Prishtinës zyrtare, së cilës i përket si territor, së paku sipas Kushtetutës së Kosovës, të cilën Beogradi nuk e njeh. Kështu, një “Alto Adige kosovare” (Tiroli Jugor në Italinë veriperëndimore) mund të thuhet se tashmë është një fakt i kryer, dhe esencialisht nuk i kalon caqet e modelit ahtisaarian, por Qeveria e Kosovës ende nuk ka partnerë më kë duhet negociuar për ta legalizuar atë, sepse më parë Serbia duhet ta njohë pavarësinë e saj.
Në tregimin për vetëqeverisje personale e kulturore e deri tek shkëmbimi i territoreve është i pashmangshëm tregimi për ujin.
Përballë parashikimeve të zymta se gjatë shekullit XXI do të ketë luftëra për ujin për shkak të shterjes së rezervave të tij, të tilla nuk kanë ndodhur qe 4500 vjet.
Mbi palën kosovare do të bëhet presion i fuqishëm që parimin “decentralizim për shtet” ta modifikojë në një tjetër, në “territor për shtet”, pa asnjë kompensim. Në këtë rast, i vetmi kompensim për humbjen e veriut, do të mund të ishte Gazivoda. Në këtë shekull ky ujëmbledhës do të jetë pasuria më e madhe e një kombi apo shteti. Mirëpo, as në rastin më të keq, rrjedhën e ujit të Gazivodës nuk mund ta ndalë Serbia, sepse për ujërat kontinentale ekzistojnë disa konventa ndërkombëtare që e saksionojnë rrjedhën e natyrshme të ujërave, si ajo e Helsinkit (1992) e që njihet si Konventë për mbrojtjen dhe përdorimin e rrjedhave të ujit ndërkufitar dhe të liqeneve ndërkombëtare; pastaj Konventa për Kooperimin (1994, Sofje) për mbrojtjen dhe përdorimin durabël të Danubit dhe Marrëveshja e Kooperimit për një zhvillim durabël të zonës Mekong, Chiang (1995.)
Pas njohjes së Kosovës nga Serbia, mund të ndodhë shkëmbim territoresh, por uji i Gazivodës e ka rrjedhën e vet natyrore.

halil.matoshi@kohaditore.com

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›