E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat PD-PS, gati marrëveshja për reformën zgjedhore dhe parlamentare

Oerd Bylykbashi, Damian Gjiknuri

Përfaqësuesit e PD dhe PS, Bylykbashi e Gjiknuri hartojnë marrëveshjen për reformën zgjedhore dhe parlamentare.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë gjetur më në fund konsensusin e tyre për tu hapur rrugë reformave. Pritet që të enjten Kuvendi të miratojë ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore dhe komisionin për reformën parlamentare. Burime diplomatike pohuan dje se palët kanë mundur të përafrojnë qëndrimet e tyre lidhur me reformën zgjedhore, ndërsa bisedimet dhe negociatat janë ndjekur nga afër nga përfaqësuesit ndërkombëtare. Dy të mandatarit e partive kryesore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi kanë konsultuar draftet dhe i kanë miratuar ato pas bashkëpunimit shumë të ngushtë me përfaqësues të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë dhe të prezencës së Bashkimit Europian. Madje, ka qenë insistimi i diplomatëve të cilët kanë ushtruar presion dhe tek liderët e dy partive për tu tërhequr nga disa prej pretendimeve të tyre, të cilat po zgjatnin arritjen e konsensusit dhe humbisnin kohë. Puna do të nisë shumë shpejt, që javën e ardhshme, për të mbaruar me të dyja reformat deri në fund të marsit të 2012.
Kodi Zgjedhor
Reforma zgjedhore duket se është më afër nisjes nga puna, për shkak të përcaktimit të modaliteteve nga të dyja palët. Duket se dy negociatorët kanë punuar intensivisht që prej fundit të shtatorit, ndërsa bazë e kësaj reforme më në fund do të jenë 52 rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet. Si PS, edhe PD mësohet se kanë gati draftet të pranuara prej tyre, por ato mbahen në sekret të plotë deri në miratimin e marrëveshjes nga Parlamenti. Sistemi zgjedhor ka qenë pika më e nxehtë e negociatave, për të cilin kanë ndërhyrë dhe ndërkombëtarët në arritjen e kësaj marrëveshjeje. Palët kanë rënë dakord që sistemi zgjedhor, i cili nuk parapëlqehet shumë nga dy partitë e mëdha të ndryshohet, të mos shërbejë si pikë bllokimi i negociatave. Presioni më i madh për sistemin vjen nga partitë e vogla, si të koalicionit të majtë, ashtu dhe ato të koalicionit të djathtë, pasi ai penalizon direkt ato. Ndoshta çështja e ndryshimit të sistemit do të jetë një pikë që pritet të zgjidhet me marrëveshje mes partive të mëdha dhe aleatëve të tyre para zgjedhjeve të 2013. Pjesë e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore do të jenë dhe partitë e tjera parlamentare dhe ato jo parlamentare që kanë marrë një përqindje të caktuar votash, ndërsa nuk do të kenë të drejtë vote. Ata do të japin mendimet dhe propozimet e tyre në komision, ndërsa do të jenë dy partitë e mëdha, PS e PD, në bashkëpunim me OSBE dhe Komisionin e Venecias, që do të vendosin rreth këtyre propozimeve.
Parlamenti
Reforma parlamentare do të nisë pak më vonë se reforma zgjedhore. Kjo sepse më parë duhet të punojnë grupet e punës që do të përafrojnë rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë me rregulloren e Parlamentit Europian. Ky ka qenë një propozim i ardhur nga PD, ndërsa PS ka nisur nga puna për këtë pikë, pasi ka mandatuar Ditmir Bushatin të studiojë dhe përcaktojë pikat e kontaktit me rregulloren e Parlamentit Europian. Edhe kjo reformë do të duhet të përfundojë deri në fund të marsit 2012. Palët duket se kanë nisur të lëvizin drejt një konsensusi. Pranimi i kandidaturës politike të Ermelinda Meksit nga PD për anëtare në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë duket se i hap rrugë dhe kandidaturave me background politik që pritet të vijnë për Avokatin e Popullit, duke zhbllokuar ngërçin dyvjeçar në emërimet e drejtuesve të institucioneve kushtetuese.

Venecia
Një delegacion i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe OSBE-ODIHR vizitoi Shqipërinë, për të dhënë rekomandimet e tyre në lidhje me ndryshimet në reformën zgjedhore. Delegacionet zhvilluan takime me Kryeministrin Berisha, kreun e PS, Rama dhe ministrin e Jashtëm, Haxhinasto. Në përgatitje të një raporti për zgjedhjet në Shqipëri, delegacioni i Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it u informuan mbi pretendimet e palëve. Jemi këtu për të parë çfarë mund të bëhet në të ardhmen për përmirësimin e kuadrit të reformës zgjedhore, tha Markert, kreu i delegacionit të Venecias. Markert shtoi se opinioni i Venecias për Shqipërinë do të adaptohet në takimin e ardhshëm, pasi të jenë dëgjuar edhe palët politike. Duke theksuar edhe një herë se ky delegacion është këtu për të rekomanduar, Markert nënvizoi se Nuk do të bëjmë vlerësime për të kaluarën.

Negociatorët
Në shprehje të vullnetit të mirë për të nisur sa më parë reformën zgjedhore, dy partitë e mëdha mandatuan negociatorët e tyre për të gjetur modalitetet për ngritjen e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Damian Gjiknuri e Vasilika Hysi dhe Viktor Gumi e Oerd Bylykbashi punuan gjatë dy muajve, edhe pse liderët e partive të tyre herë largoheshin dhe herë afroheshin me deklarata.

Drafti i marreveshjes
.Reforma zgjedhore, bazuar në 52 rekomandimet e OSBE-ODIHR-it

.Në rast ngërçi, do kërkohet ndërhyrja e OSBE-së dhe Komisionit të Venecias

.Sistemi zgjedhor jo kondicionues për reformën zgjedhore

.Reforma zgjedhore, e drejta e votës vetëm për dy partitë e mëdha

.Partitë e tjera, parlamentare dhe jo parlamentare do shprehin mendimet dhe propozimet e tyre, pa të drejtë vote

.Afati i punës së komisioneve së reformave, nëntor 2011mars 2012

.Paralelisht punohet për ligjet dhe Kodet që kërkojnë 3/5 e votave

.Reforma parlamentare, grup pune për përafrimin e rregullores së Kuvendit me atë të Parlamentit Europian

.Shumë shpejt propozimi i emrit për Avokatin e Popullit

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›