E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat Rusi-SHBA për armatim rifillojnë këtë muaj

Ministri i Jashtëm i Rusisë ka theksuar se këtë muaj do të rifillojnë negociatat me Washintonin për traktatin e ri për kontrollin e armatimit.

Sergei Lavrov deklaroi sot se “negociatat do të rifillojnë diku kah pjesa e dytë e janarit”.
Traktati i ri do të zëvendësonte Traktatin për Reduktimin e Armëve Strategjike, të nënshkruar në vitin 1991, i cili ka skaduar më 5 dhjetor të vitit të kaluar.

Rusia dhe SHBA-ja kanë shpresuar se do të jenë në gjendje që të arrijnë marrëveshjen deri në fund të vitit të kaluar, por kjo nuk u bë për shkak të disa problemeve të ndryshme.

Në fund të dhjetorit, Moska theksoi se kërkon nga Washingtoni që të ndajë të dhënat e detajuara për sistemet në det dhe tokë, të cilat planifikon t’i stacionojë SHBA-ja.

Këto sisteme do të zëvendësonin planin për stacionimin e disa raketave në Poloni dhe të një radari në Çeki.

Rusia e ka cilësuar këtë plan si kërcënim, ndërsa presidenti amerikan, Barack Obama vendosi vitin e kaluar që të heq dorë nga ky plan, i cili ishte hartuar nga administrata e paraardhësit të tij, George Bush.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›