Seuli dhe Washingtoni refuzojnë ofertën e Phenianit
Koreja e Jugit dhe SHBA-ja kanë refuzuar propozimin e Koresë së Veriut për fillimin e negociatave paqësore, për t’i dhënë formalisht fund Luftës së Koresë, me Seulin i cili insistoi sot se kjo mund të bëhet vetëm pasi që Pheniani të rikthehet në negociatat për çarmatim dhe pas përparimit në përpjekjet për denuklerizimin e Gadishullit.
Sidoqoftë, Pheniani të hënën theksoi se kthimi në negociatat bërthamore varët nga vendosja e marrëdhënieve më të mira me SHBA-në, përfshirë këtu edhe nënshkrimin e marrëveshjes paqësore. Koreja e Veriut gjithashtu kërkoi edhe shfuqizimin e sanksioneve ndërkombëtare kundër këtij shteti të izoluar komunist.
Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut përsëriti dje dyshimin e tij në lidhje me këtë propozim të Phenianit. Kim Tae Young theksoi se ai do të vazhdojë të bëjë përpjekje se cilat janë qëllimet e vërteta të këtij propozimi të Phenianit.
Kim shtoi se ushtria e Koresë së Jugut është e gatshme që të frenojë çfarëdo agresioni të mundshëm nga ana e Koresë së Veriut, duke theksuar se Pheniani edhe në të kaluarën ka bërë në njërën anë oferta për paqe, ndërsa në anën tjetër ka vazhduar provokimet.
“Çështja e marrëveshjes paqësore mund të lëvizet përpara, vetëm pas rifillimit të negociatave gjashtë-paleshe dhe pas arritjes së përparimit në procesin e denuklearizimit të Koresë”, nënvizoi Kim.